AlbanianSport.com 14/02/2019 18:35
ASNN – Ndërhyrja e parë e “VAR” në Ligën e Kampioneve. Anulohet goli i Ajaksit në sfidën me Realin e Madridit. Ajaks është mundur 2-1 nga Reali i Madridit në ndeshjen e parë të turit të 16-shes së Ligës së Kampioneve. Në një ndeshje shumë të bukur, të luftuar në ish-“Amsterdam Arena”, tashmë të emërtuar “Johan Krujf”. 11 lojtarët e skuadrës holandeze, me një moshë tepër të re, luajnë sikur kanë motorë në këmbë, përballë emrave të mëdhenj të Realit. Loja e tyre është e shkëlqyer por eksperienca e pakët në ndeshjet ndërkombëtare i ndëshkon.
Lojë magjepsëse e të rinjve të Ajaks por finalizim i profesionistëve të Realit. Vetëm kështu mund të përkufizohet kjo ndeshje. E përtej kësaj, më në fund Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) zbarkon edhe në Ligën e Kampioneve. Pikërisht në Amsterdam, aty ku Ajaks ka parë t’i anulohet nga teknologjia një gol. Aksioni ishte ky: de Ligt godet me kokë pas aksionit të ardhur nga goditja e këndit. Kurtua bën një gabim foshnjarak, duke e lënë topin t’i ikë, e në rikthim, Taljafiko e godet sërish topin me kokë dhe 1-0. Festa për Ajax, që me meritë kalon në epërsi.
Por jo. Arbitri slloven, Skomina e anulon golin pas sinjalizimeve të ardhura nga gjyqtarët e vendosur në video, të cilët kanë vënë re një pozicion jashtë loje të Tadiçit gjatë goditjes me kokë të Taljafikos. Bëhet fjalë për një pozicion jashtë loje pasiv. Tadiçi nuk ndërhyn në aksion për të prekur topin, por qenia e tij para Kurtuasë e pengon portierin belg, të ndërhyjë për të penguar goditjen me kokë të Taljafikos. Nuk vlejnë aspak protestat e lojtarëve të Ajaksit, pasi Skomina vendos. E rezultati mbetet 0-0, meritë apo ajo e VAR-it, por kjo është ndërhyrja e parë e tij në historinë e Ligës së Kampioneve.
Reali, falë përvojës së tij arrin të fitojë me Ajaksin 2-1, por nuk bindi në lojë. Ndërkohë që Sergjio Ramos rrezikon dy ndeshje skualifikim, pasi mori karton të verdhë në fund të ndeshjes. Ai është shprehur në fund të ndeshjes se e ka marrë atë karton me dëshirë. “Duke parë rezultatin e ndeshjes, do të gënjeja nëse do të thoja që nuk desha ta merrja kartonin, – pohoi lojtari shpesh kontradiktor. – Nuk e nënvlerësoj kundërshtarin dhe nuk mendoj se e kemi kaluar turin.”
“Por mendoj se në futboll nganjëherë duhet të marrësh vendime të vështira dhe unë vendosa kështu”, – shtoi ai. Sipas rregullores së UEFA-s, këto fjalë mund t’i kushtojnë shumë kapitenit të Realit.