Albaniansport.net 20.01.2016 19:50
ASNN – Trajneri i Mançester Junajtid, Luis van Gal, raportohet se ka vendosur që ta përfshijë mesfushorin Adnan Januzaj në ekipin e parë për takimin e së shtunës në Premier Ligë ndaj Sauthemptonit.
Në gusht, 20-vjeçari ishte huazuar në Dortmund për një sezon, por ajo marrëveshje përfundoi më herët duke bërë që Januzaj të kthehet në janar në Angli, pa asnjë ndeshje si titullar në Bundesligën gjermane.
Në rikthimin e tij në “Olld Treford”, Van Gali kishte thënë se Januzaj do të duhet të tregojë veten te ekipi i Nën-21-vjeçarëve të “Djajve të kuq”, për të fituar vend në ekipin e parë.
Januzaj u përgjigj në mënyrën më të mirë, pasi të hënën në mbrëmje, ai realizoi dy gola në fitoren 4-0 ndaj Sauthemptonit në duelin e Nën-21-vjeçarëve. Tanimë, sipas “The Mirror”, Van Gal është impresionuar nga forma e futbollistit të përfaqësueses së Belgjikës.
Për këtë arsye, ai ka vendosur ta ftojë për vizitën në Sauthempton. Januzaj kishte shënuar një herë në katër ndeshjet e para për Mançester Junajtid në fillim të këtij sezoni.