AlbanianSport.com 15.08.2015 23:40
ASNN – Mançester Junajtid ka korrur një fitore minimale, por mjaft të vyer të premten në “Vila Park” ndaj Aston Vilës vendase dhe trajneri Luis Van Gal nuk e ka fshehur kënaqësinë. Po, jam shumë i lumtur që fituam, – ka deklaruar ai për faqen zyrtare të klubit anglez në Internet. – E filluam kampionatin me një fitore në shtëpi dhe një në fushë të huaj. Çelësi i këtij sezoni është të fituarit e sa më tepër ndeshjeve në fushë të huaj dhe unë mendoj që jemi të aftë ta bëjmë një gjë të tillë.”
I pyetur pse Adnan Januzaj ishte një 11-shen e parë në “Vila Park”, holandezi u përgjigj: “Sepse ai dha sinjale në stërvitje që është gjithnjë e më i sigurt në vetvete dhe gjithnjë e më në formë. Mua më pëlqen një sulmues i dytë në atë pozicion (prana Uejn Runit), më tepër sesa një mesfushor i tretë. Kjo është arsyeja, për shembull, pse Herrera nuk luan, por futet gjithmonë si një zëvendësues, sepse ai është më tepër një mesfushor kontrollues.”
Ndonëse kishte fjalë të mira për shqiptarin me pasaportë belge, si trajner pragmatist, 64-vjeçari i pankinës së “Djajve të kuq”, ka nxituar të mos e lejojë Januzajn t’i rriten veshët. “Dakord, Januzaj na dhuroi sot një gol të bukur dhe jam shumë i kënaqur me të, por ne duhet të tregojmë më tepër aftësi për ta mbajtur topin, – ka deklaruar ai. – E humbëm në shumë raste në mënyrë të panevojshme topin si skuadër dhe Adnan Januzaj e humbi shpesh topin pa qenë nevoja.”
“Edhe të tjerë, si Memfis Dipej apo Runi, e humbën gjithashtu shpesh topin pa qenë nevoja dhe kjo është arsyeja se pse nuk krijuam shumë raste për shënim dhe, në një ndeshje si kjo, duhet të krijojmë më tepër raste”, – përfundoi trajneri i Mançester Junajtid, Luis Van Gal. Në prag të dy ndeshjeve që do të luhen të dielën dhe një tjetre që do të luhet të hënën, të tria të vlefshme për javën e dytë, Mançester Junajtid ndan kreun e renditjes së Premier Ligës Angleze me Leister Sitit, me pikë të plota, 6.