AlbanianSport.com 06/05/2020 19:15
ASNN – Fama dhe pasuria e ndryshojnë shpesh njeriun, por gjithçka varet nga brumi me të cilin ai është gatuar. Dhe një gjigand i futbollit botëror, siç ishte kampioni i botës dhe i Evropës, Zinedin Zidan, ishte një “brumë” krejt tjetër. Është ish-portieri i famshëm, Edvin Van der Sar, ai që ka zbuluar së fundmi se si ish-bashkëlojtari i tij, Zinedine Zidane shkonte në stërvitjen e Juventusit me “Fiat”, ndërkohë që lojtarët tjerë shkonin me “Ferrari”.
Van der Sari, i cili tani është kreu ekzekutiv i klubit të famshëm holandez, Ajaksit, ka thënë se Zidan ishte krejtësisht ndryshe nga pjesa tjetër e skuadrës. Ish-portieri i Mançester Junajtid, i cili ka luajtur së bashku me francezin për dy vjet, gjatë periudhës 1999-2001, ka kujtuar se ishte e vështirë të flitej me Zidanin, pasi francezi nuk ishte shumë llafazan. Duke folur “Ziggo Sport”, holandezi ka treguar se Zidani fliste vetëm në gjuhën frënge dhe atë italiane, pasi anglishtja e tij nuk ishte shumë e mirë.
“Nuk ishte shumë llafazan, – kujton ish-portieri i Juventusit. – Në fakt ishte e vështirë të komunikohej me të, pasi ai nuk ka folur anglisht shumë mirë dhe është shprehur vetëm në frëngjisht apo italisht. Por mënyra se si merrte topin, si hidhte atë në ajër dhe si luajti gjithmonë… E mbaj mend që një ditë erdhi në stërvitje me “Fiat”, ndërsa kishte veshur xhinse. Ishte plotësisht ndryshe nga ajo që shihje te pjesa tjetër që vinin me Ferrari dhe mbanin veshur rrobe të “Dolce & Gabbana” apo “Versace””, – ka përfunduar Van der Sari.