Adriatik Balla 28.05.2015 13:30
Një nga elementët që po përflitet këto ditë për të marrë pasaportën shqiptare dhe për të luajtur me ngjyrat kuqezi është shqiptari nga Maqedonia, Valmir Nafiu. Ky i fundit ka qenë deri tani pjesë e skuadrave të moshave të Maqedonisë. Madje ai është aktivizuar edhe me përfaqësuesen e Nën-21-vjeçarëve të këtij vendi, por javët e fundit ka shfaqur interes për të luajtur me Shqipërinë.
Mediat maqedonase madje kanë përmendur edhe kontaktet që ai ka me zyrtarët e ekipeve kombëtare në FSHF, duke mos harruar të përdorë ndaj tij termin “tradhtar” për faktin e po braktis ekipin kombëtar të kësaj grupmoshe të Maqedonisë. Kështu, talenti shqiptar i Nën-21-vjeçarëve të Maqedonisë ka shfaqur interes të luajë për kombëtaren kuqezi.
Sulmuesi nga Tetova, Valmir Nafiu, pritet kështu t’i bashkohet Kombëtares kuqezi. Mediat maqedonase raportojnë se kapiteni i Nën-21-vjeçarëve ka braktisur përfaqësuesen e Maqedonisë për këtë grupmoshë, duke u hequr si i dëmtuar. Sipas faqes sportive maqedonase, “macedonianfootball.com”, sulmuesi që aktivizohet në Qipro me klubin e famshëm, APOEL-in e Nikozisë, po flirton me Shqipërinë.
“Federata e Futbollit të Maqedonisë e ka kuptuar këtë, por ende nuk po reagon për braktisjen që Nafiu i ka bërë ekipit përfaqësues të Nën-21-vjeçarëve”, – shkruan faqja në fjalë. Kësisoj, nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen sulmuesi i talentuar të bëhet pjesë e kuqezinjve. Nuk është hera e parë, që sulmuesi Nafiu lakohet, si kandidat i mundshëm për t’u veshur kuqezi.