AlbanianSport.com 21.05.2016 23:45
ASNN – Valentino Rosi nuk ka lejuar askënd ta mposhtë në shtëpi, pasi piloti i “Jamahas” ka qenë më i shpejti në provat zyrtare dhe do të niset të dielën nga vendi i parë në Çmimin e Madh të Italisë. Italiani i “Jamahas” ka fituar betejën e shpejtësisë në pistën e Muxhelos, duke lënë prapa Maverik Vinjalesin e “Suzukit” dhe bashkëatdhetarin e tij, Andrea Janonen e “Dukatit”.
Çmimi i Madh i Italisë nuk kishte si të fliste ndryshe, përveçse italisht, pasi Valentino Rosi ka shpërthyer në provat zyrtare, duke regjistruar kohën më të mirë dhe duke siguruar nisjen nga vendi i parë të dielën. Italiani i “Jamahas” ka fituar betejën e shpejtësisë në pistën e Muxhelos, duke lënë prapa Maverik Vinjalesin e “Suzukit” dhe bashkëatdhetarin e tij, Andrea Janonen e “Dukatit”.
Dhe, duke qenë se 8 garat e fundit të nivelit më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, që njihet si “Moto GP”, ai që është nisur nga vendi i parë, ka vijuar ta fitojë garën, Rosi premton ta bërë të vetën edhe garën e shtëpisë. Për herë të parë që nga viti 2008, Rosi do të niset nga vendi i parë në Muxhelo, ndërsa duhet theksuar se po në atë vit, piloti i “Jamahas” ka fituar për herë të fundit një garë në pistën italiane.
Ndërkohë, në rreshtin e dytë do të niset Mark Markez, Horge Lorenco dhe Aleiks Espargaro. Kurse Dani Pedroza, Bredli Smith, Danilo Petruçi dhe Skot Reding plotësojnë 10-shen e të parëve. Gara do të zhvillohet të dielën, duke nisur nga ora 14:00 dhe, sikundër ka ndodhur gjatë 5 garave të para, edhe emocionet e Çmimit të Madh të Italisë do të sillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i radio-Televizionit Shqiptar.