AlbanianSport.com 28/08/2021 17:25
ASNN – Dueli tradicional që ngre siparin e sezonit të ri vjen drejtpërdrejt në ora 19:00. Sfida e zakonshme që ngre siparin e sezonit të ri futbollistik në vend, Superkupa e Shqipërisë, do të luhet sonte, duke nisur nga ora 19:00. Dhe, sikundër çdo eveniment madhor sportiv, edhe kjo ndeshje do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1.
Ky duel tradicional do të vërë përballë njëra-tjetrës dy skuadrat që i dhanë tonin sezonit të shkuar, duke ndarë edhe trofetë. Teuta u shpall “kampione” e Shqipërisë, duke u rikthyer tek titulli pas 27 vjetësh, por vetëm në ndeshjen e fundit dhe vetëm falë një golaverazhi më të mirë. Ndërkaq, Vllaznia, që ishte skuadra që i sfidoi deri në fund bregdetarët në betejën për titull, u ngushëllua me trofeun e Kupës së Shqipërisë, teksa mposhti minimalisht në finale Skënderbeun.
Për këtë arsye, për shkodranët kjo ndeshje shihet si një shans për hakmarrje, ndërsa për durrsakët si një mundësi për rikonfirmimin. Përtej kësaj, të dy ekipet do të dëshironin ta nisnin sezonin e ri me një trofe dhe pritet një ndeshje e luftuar sonte, teksa të dyja skuadrat kanë patur ndryshime të shumta në organikën e lojtarëve.