AlbanianSport.com 14.11.2014 22:05
ASNN – Problemi që shoqëroi ndeshjen e një jave më parë të Sopotit ndaj Pogradecit, e cila ka përfunduar në barazim, 1-1, ishte se policia nuk u paraqit në stadium për të marrë përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes. Policia është justifikuar me faktin se nuk kanë dashur të marrin përsipër ndeshjen për arsye të tifo-grupit “Ultras Sopot”, pasi, sipas tyre, ata janë problematikë dhe krijojnë trazira në stadium.
Menjëherë pas kësaj deklarate, tifo grupi “Ultras Sopot” ka marrë disa vendime të reja të cilat u komunikuan në faqet e tyre në rrjetet sociale, atje ku u bëhej thirrje të gjithëve për mbështetje. “Nëse doni të mbështesni ekipin duhet të bashkoheni me tifo-grupin, por duke marrë parasysh disa kushte, atje ku nuk duhet të ketë thirrje, apo sharje për ekipin kundërshtare dhe drejtuesit e ndeshjes”, – shkruajnë librazhdasit.
“Nëse nuk i pranoni kushtet distancohuni nga ne. Ultras Sopot është tifo grupi që po i rri afër ekipit të Sopotit duke udhëtuar në çdo ndeshje, po ashtu edhe në ndeshjen e radhës ndaj Naftëtarit në Kuçovë më 22 nëntor ne do të jemi përsëri në mbështetje të ekipit. Por do të marrin pjesë vetëm ata që do të respektojnë saksionet e reja të nxjerra nga organizatorët e tifo grupit”, – kanë përfunduar tifozët e Sopotit.