AlbanianSport.com 11.06.2016 19:55
ASNN – Uellsi e ka nisur mbarë aventurën në “Euro 2016”, teksa ka fituar 2-1 me Sllovakinë. Golat për skuadrën britanike u shënuan nga Gareth Bejl dhe Robson-Kanu, ndërsa për sllovakët, nga Andrej Duda. Pas kësaj fitoreje, Uellsi kryeson grupin B me 3 pikë.
Ndeshja e tretë e Evropianit francez ka patur si protagonistë skuadrat e Uellsit dhe Sllovakisë. Fitimtarë në këtë sfidë të vlefshme për grupin B, djemtë e trajnerit Kris Kolman kanë fituar me shifrat 2-1 ndaj skuadrës së udhëhequr në fushë nga Marek Hamshiku.
Gareth Bejl ekzekuton me mjeshtëri një goditje dënimi duke kaluar Uellsin në epërsi që në minutën e 10-të të takimit. Me fitoren 1-0 të skuadrës britanike mbyllen 45 minutat e para. Në pjesën e dytë, Sllovakia arrin të barazojë rezultatin në 1-1 falë golit të realizuar nga Andrej Duda.
Megjithë përpjekjet e skuadrës sllovake të drejtuar nga Marek Hamshik, futbollistët nuk arrijnë të jenë të saktë përpara portës kundërshtare. Ndërsa dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, Kanu shënon golin e dytë për Uellsin, duke i dhënë fitoren dhe tri pikët skuadrës së tij.