AlbanianSport.com 06.01.2017 17:45
ASNN – UEFA ka përcaktuar formacionin me futbollistët më të mirë të Ligës së Kampioneve për 2016. Në 11-shen e më të mirëve nuk mungojnë emra të tillë si Bufon, Pike, Serxhio Ramos, Injesta apo Kristiano Ronaldo e Mesi. UEFA ka mbyllur votimin e tifozëve që kanë përcaktuar futbollistët më të mirë në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të Evropës për vitin 2016. Në portë qëndron Xhianluixhi Bufon.
Tanimë në moshën 38 vjeç, portieri i Juventusit dhe përfaqësueses italiane, bëhet lojtari me moshën më të madhe që përfshihet në 11-shin e më të mirëve të Ligës së Kampioneve. Ai ka lënë pas kolegun e tij të Bajernit të Mynihut, Manuel Nojerin. Për herë të parë në këtë formacion hyn Leonardo Bonuçi, mbrojtësi i tretë i Juventusit, pas Xhanluka Zambrotës dhe Fabio Kanavaros.
Repartin e mbrojtjes e kompletojnë Zherom Boateng i Bajernit të Mynihut, Zherard Pike i Barcelonës dhe Serxhio Ramos, i Realit të Madridit. Në mesfushë përfshihen lojtarë cilësorë si Luka Modriç e Toni Kros, të Realit të Madridit, pa harruar ekspertin apo trurin e skuadrës së Barcelonës, Andres Injestën. Në sulm, është treshja e talentuar të cilët i ëndërron çdo skuadër.
Pra, Kristiano Ronaldo i Realit të Madrid, fitues i “Topit të Artë” për 2016-ën, Lionel Mesi i Barcelonës dhe Antuan Grizman i Atletikos së Madridit. Reali i Madridit është skuadra me më shumë përfaqësues në formacionin e 11 më të mirëve në Ligën e Kampioneve, me 4 lojtarë. Rekordi i takon Barcelonës, që në 2009-ën e 2010-ën përfaqësohej me 6 futbollistë.
Rekord negativ për argjentinasin e Mançester Sitit, Serxhio Agueron, i cili përzgjidhet për të 6-tën herë radhazi si “rezervë”, por pa mundur të përfshihet në formacionin titullar.