AlbanianSport.com 12/04/2020 21:05
ASNN – Skenarët janë të pafundme, duke patur parasysh situatën e jashtëzakonshme të prodhuar nga epidemia globale e korovirusit dhe janë mediat britanike që sjellin një version të ri të asaj që mund të ndodhë me dy veprimtaritë kontinentale të klubeve. Kështu, raportohet se UEFA po mendon të përfundojë Ligën e Kampioneve brenda 3 javëve gjatë muajit gusht. Organizmi që qeveris futbollin në kontinentin e vjetër është duke bërë përpjekje për të përfunduar sezonin, si në Ligën e Kampionëve ashtu edhe në Ligën e Evropës.
UEFA e shtyu fillimisht finalen e Ligës së Kampionëve për një muaj, për shkaku të koronavirusit, ndërsa tanimë e ka shtyrë atë për një afat të pacaktuar. Sipas numrit të së dielës së “Sunday Express”, UEFA do të tentojë të organizojë ndeshjet e mbetura brenda një harku kohor prej 3 javëve gjatë gushtit. Mirëpo, gara është ende në fazën e turit të 16-shes, aty ku vetëm RB Lajpcigu, Atletiko e Madridit, Paris SG-ja dhe Atalanta kanë siguruar vendin në çerekfinalen e Ligës së Kampioneve, ndërsa priten të njihen edhe 4 çerekfinalistet e tjera.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, pati deklaruar më herët ka thënë se nuk do të jetë e mundur të shtyhen veprimtaritë përtej gushtit. “Ne nuk mund të luajmë në shtator apo tetor”, – pati thënë ai. Por, Çeferini nuk e ka përjashtuar mundësinë e organizimit të ndeshjeve pa shikues, siç ishte rasti edhe te disa takimeve të kthimit të turit të 16-shes. Sipas të përditshmes britanike në fjalë, raportohet se UEFA po e shqyrton mundësinë që të organizojë, në rastin më të keq, një “4-she finale” apo edhe “8-she finale” për dy garat, vetëm për të përfunduar ato.