AlbanianSport.com 17/06/2020 15:40
ASNN – Në mbledhjen e tij të ditës së parë, të mbajtur të mërkurën, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s miratoi parimet kryesore të protokollit mjekësor të UEFA-s dhe udhëzimet e hollësishme do të finalizohen gjatë javëve të ardhshme për të siguruar që të vendoset një plan i plotë sanitar për të mbrojtur shëndetin e të gjithë pjesëmarrësve në ndeshjet e UEFA-s kur të rinisin garat.
UEFA do të vlerësojë rregullisht situatën në të gjithë kontinentin dhe do të ndërlidhet me autoritetet lokale për të parë kur tifozët do të mund të kthehen në stadiume. Sa i përket sezonit aktual të Ligës së Kampioneve, atij 2019-2020, Komiteti Ekzekutiv i organizmit që qeveris futbollit kontinental, vendosi që çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja do të luhen si një turne në formatin e “8-shes finale” (“Final 8”).
Këto faza të mbetura do të luhen me një ndeshje të vetme, të gjitha në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë, ku ofrohen dy stadiume një një distancë shumë të afërt nga njëri-tjetri, mes datave midis 12 dhe 23 gusht 2020. Çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja e Ligës së Evropës 2019-2020 do të luhen gjithashtu në formatin e “8-shes finale” (“Final 8”).
Edhe këto faza do të luhen me një ndeshje të vetme në Këln, Duisburg, Dyseldorf dhe Gelsenkirshen, mes datave 10 dhe 21 gusht 2020. Edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka do të jetë i impenjuar sërish të enjten paradite në vazhdimin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ku do të diskutohen vendime të tjera.