AlbanianSport.com 27.04.2016 12:55
ASNN – Mishel Platini duket se do të shpallet i pafajshëm nga akuzat për korrupsion. Komisioni i Etikës në FIFA ka hedhur poshtë akuzat që i adresoheshin ish-kreut të UEFA-s. Të premten në Lozanë do të mbahet gjyqi që do të vendosë se çfarë të bëhet me pezullimin e përjetshëm nga bota e futbollit që FIFA ka kërkuar për Platini.
Mishel Platini ka shpëtuar nga akuzat për korrupsion. Kështu ka vendosur Komisioni i Etikës i FIFA-s, i cili ka hedhur poshtë akuzat për korrupsion, për të cilat akuzohej ish-kreu i UEFA-s. Platini akuzohej se kishte përfituar 2 milionë franga në formë ryshfeti nga Sep Blateri, ish-presidenti i FIFA-s, si pagesë për konsulencën që francezi kishte ofruar nga viti 1999-2002.
Blateri e ka bërë pagesën nga llogaritë e FIFA-s, edhe pse Platini punonte për llogari të tij asokohe, dhe jo të institucionit që drejtonte futbollin ndërkombëtar. Kjo pikë mbetet ende e paqartë dhe do të shqyrtohet të premten në Lozanë. Aty do të mbahet seanca e apelit të CAS-it, që do të japë verdiktin final sa i përket pezullimit 6-vjeçar të francezit.
Për këtë çështje FIFA kishte kërkuar largim të përjetshëm nga bota e futbollit për Platini, por ky i fundit kishte apeluar dhe u dënua vetëm me 6 vjet pezullim me akuzën e konfliktit të interesit dhe ryshfetit. Pas seancës dëgjimore, ku do të flasë Platini, të premten në Lozanë do të merret vendimi nga trupi gjykues, i cili ka gjasa ta shpallë të pafajshëm francezin.