AlbanianSport.com 16.05.2015 13:55
ASNN – Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) vazhdon të jetë e mbyllur lidhur me zhvillimet rreth futbollit kosovar. Jep fare pak informata për këtë çështje. Por shumë më e hapur nuk është as Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
Sikundër shkruan edhe e përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”, në heshtje ka kaluar vizita që drejtuesit e FFK-së, e përkatësisht Kryetari Fadil Vokrri dhe Sekretari i Përgjithshëm Eroll Salihu, patën këtë javë në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës.
Ata janë kthyer të premten nga Zvicra. Burime të gazetës në fjalë kanë bërë të ditur se drejtuesve të FFK-së u është thënë sërish se do të gjendet një zgjidhje që Kosova të jetë në Eliminatoret për Botërorin e vitit 2018.
Po kështu, pritet që edicioni i ardhshëm i kampionatit të Kosovës në futboll do të jetë i vlefshëm për pjesëmarrje në Kupat e Evropës. Në fakt, këto janë dy prioriete të drejtuesve të futbollit kosovar.