AlbanianSport.com 23/04/2020 18:40
ASNN – Përkundër spekulimeve që kanë sjellë skenarë nga më të skajshmit, tek ato më të zymtët, duket se në fund ka mbretëruar arsyeja dhe organizmi që qeveris futbollin kontinental i ka mbetur besnik versionit të parë. Me pak fjalë, UEFA i qëndron të njëjtin mendim. Kampionatet duhet të përfundojnë deri në gusht, në mënyrë që ekipet më pas të kenë kohë të përgatiten për Kupat e Evropës. Komiteti Ekzekutiv është mbledhur sot dhe ka vendosur që të ndodhë kështu, sikurse edhe ishte thënë më parë.
Në rast se do të jetë e pamundur që kampionatet të mbarojnë, atëherë në Kupat e Evropës shkojnë ato ekipe që e meritojnë sportivisht nga sezoni 2019/2020. Skenari i lakuar nëpër mediat ndërkombëtare, që do të merren për bazë renditja e klubeve sipas koeficienteve, bie kështu poshtë. Federatat përkatëse do të dërgojnë listën e klubeve që do të marrin pjesë në veprimtaritë evropiane dhe UEFA më pas do të marrë vendimin përfundimtar, sikurse janë edhe rregullat.
Kjo më mësua të enjten, pasi u zhvillua mbledhja e radhës së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s ku u diskutua në lidhje me situatën aktuale të futbollit evropian, që, ashtu si shumë aspekte të jetës, është ndalur prej virusit “Covid-19”. Në këtë video-konferencë, ku mori pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, në të njëjtën kohë edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka, krerët e federatave u njohë me punën e kryer deri më tani nga UEFA duke parë situatën e krijuar.
Presidenti Duka shprehu të gjithë mbështetjen në lidhje me propozimet e ofruara, ndërsa në ndërhyrjen e tij, ai theksoi vullnetin e tij se do të bëhet maksimumi për të realizuar gjithçka kërkohet për rikthimin e garës. Organizmi që qeveris futbollin evropian shprehu edhe njëherë qëllimin e saj që të gjithë Federatat dhe kampionatet në 55 vendet anëtare duhet të shqyrtojnë të gjithë të gjitha mundësitë për të përfunduar sezonin aktual.
Po kështu, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s konfirmoi sot vendimin për të shtyrë Evropianin e 2021-shit në futboll për femra për në vitin 2022, veprimtari kjo që, siç ishte parashikuar, do të zhvillohet në Angli nga data 6, deri në 31 korrik 2022. Në lidhje me këtë vendim të marrë sot, Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin u shpreh: “Kur morëm një vendim urgjent për të shtyrë “EURO 2020”-ën e meshkujve, ne e kishim llogaritur ndikimin që do të kishte tek “EURO 2021”-shi i femrave.”
“Ne vlerësuam me shumë kujdes të gjithë mundësitë, me synimin tonë të qartë për të ndikuar në rritjen e mëtejshme të futbollit të femrave, – ka vijuar slloveni. – Duke e zhvendosur Evropianin e femrave për vitin pasardhës, ne jemi duke siguruar që kjo do të jetë e vetmja veprimtari madhore në verë, duke i dhënë asaj të gjithë vëmendjen që meriton”. Një tjetër vendim i marrë nga Komiteti Ekzekutiv ishte ai për të dhënë menjëherë pagesat për të gjithë klubet që kanë pasur lojtarë të grumbulluar në ekipet kombëtare gjatë fushatave eliminatore për “EURO 2020”.
Ky vendim, për të përshpejtuar pagesat ndaj klubeve, u mor për t’u dhënë frymëmarrje ekonomike skuadrave, që mund të jenë në vështirësi financiare nga epidemia botërore e koronavirusit.