AlbanianSport.com 07/01/2019 23:55
ASNN – UEFA ka sjellë në Federatën Shqiptare të Futbollit një shkresë të fortë, ku e porosit që të mos bëjë deklarata publike në lidhje me klubin e Luftëtarit, për shkak se gjirokastritët janë nën hetim për trukim ndeshjes në Ligën e Evropës. Nëpërmjet kësaj shkrese, e njëjta gjë kërkohet dhe nga klubi i Luftëtarit, që të mbajë distancë në deklaratat publike deri në marrjen e një vendimi.
Shuma prej 240 mijë eurosh që duhet të përfitonte Luftëtari nga pjesëmarrja në Ligën e Evropës është bllokuar dhe kjo pranohet edhe në shkresën e UEFA-s, e cila thotë se shuma mund të lëvrohet vetëm nëse skuadra del e pastër pas hetimit. Kjo është një goditje e rëndë për klubin e Luftëtarit, i cili shpresonte të merrte goxha para nga UEFA, por me sa duket do ta presë i njëjti fat si Skënderbeu.
Bllokimi i parave bëhet edhe për fondin e solidaritetit që UEFA jep për klubet anëtare të ligave superiore të çdo vendi. E thënë ndryshe, klubi gjirokastrit është në shënjestër për t’u ndëshkuar nga komisionet disiplinore të UEFA-s. E gjitha kjo situatë e ka zanafillën në turin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, ku Luftëtari luajti dy ndeshje ndaj skuadrës letoneze të Ventspils, më 12 dhe 19 korrik 2018.
Në ndeshjen e parë të luajtur në Letoni, Luftëtari humbi 5-0, ku të 5 golat u shënuar në 45 minutat e para të lojës, kurse në fraksionin e dytë nuk u shënua asnjë gol. Në ndeshjen e kthimit të luajtur në Elbasan, Luftëtari barazoi 3-3, e për pasojë u eliminua. Menjëherë pas ndeshjes, komisionet e UEFA-s deklaruan se po hetojnë të dy ndeshjet e Luftëtarit.
Kjo pasi ka pasur luhatje të pabesueshme e të çuditshme të koeficientëve në kompanitë e basteve. Dyshimi është se rezultatet e ndeshjeve mund të jenë manipuluar për efekte përfitimi në baste.