AlbanianSport.com 25/02/2022 16:25
ASNN – Sikundër ishte njoftuar një ditë më parë, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka zhvilluar të premten një mbledhje të jashtëzakonshme pas përshkallëzimit të rëndë të situatës së sigurisë në Evropë. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, në cilësinë e anëtarit të KE-së së UEFA-s. Kështu, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi të zhvendosë finalen e Ligës së Kampioneve për sezonin aktual, nga Shën Pjetërburgu në “Stade de France” në Paris.
Ndeshja do të luhet siç ishte planifikuar të shtunën, më 28 maj në orën 21:00. UEFA dëshiron të shprehë falënderimet dhe vlerësimin e saj për Presidentin e Francës, Emmanuel Makron, për mbështetjen dhe angazhimin e tij personal që ndeshja më prestigjioze e futbollit evropian të klubeve të transferohet në Francë në një kohë krize të paprecedentë. Së bashku me qeverinë franceze, UEFA do të mbështesë plotësisht përpjekjet e të gjitha palëve për të mbështetur dhe siguruar shpëtimin e lojtarëve të futbollit dhe familjet e tyre në Ukrainë, të cilët përballen me vuajtje të tmerrshme njerëzore, shkatërrime dhe zhvendosje.
Në mbledhjen e sotme, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi gjithashtu që klubeve dhe ekipeve kombëtare të Rusisë dhe Ukrainë, që garojnë në veprimtaritë e UEFA-s, do t’u kërkohet të luajnë ndeshjet e tyre si skuadra pritëse në vende neutrale deri në një njoftim të dytë. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi më tej të qëndrojë në gatishmëri për të thirrur mbledhje të mëtejshme të jashtëzakonshme sa herë që të nevojitet për të rivlerësuar situatën ligjore dhe faktike që është në zhvillim të vazhdueshëm për të miratuar vendime të mëtejshme sipas nevojës.