Adriatik Balla 19.06.2015 17:30
UEFA ka marrë në shqyrtim për disa ditë me radhë mundësinë e shkeljes së rregullores së “fair-play”-it dhe dyshimeve për trukim të ndeshjeve nga dy skuadrat italiane, Sampdoria dhe Lacio. Por në fund nuk ka një vendim negativ për dy klubet italiane, pasi UEFA nuk arriti të provojë dhe të gjejë fakte që i implikonin në parregullsi. Për pasojë, si Lacios, ashtu dhe Sampdoria do të luajnë edicionin e ri në Kupat e Evropës, duke nxjerrë jashtë loje Interin që kishte besuar deri në fund në ndëshkimin e tyre dhe pjesëmarrjen e tij në to.
Kështu, institucioni më i lartë i futbollit evropian ndez “dritën jeshile” që bardhekaltërit të marrin pjesë në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve, ndërsa Sampdoria në Ligën e Evropës. Në këtë mënyrë, Interi nuk do të përfitojë një kualifikim në tavolinë në Ligën e Evropës për shkak të spostimit të mundshëm të vendeve që mund të linin bosh Lacio dhe Sampdoria. Vetë klubi nga Gjenova e siguroi Evropën falë vendimit të UEFA-s për të mos pajisur me licencë Xhenoan.
Por mediat italiane aluduan për një përjashtim të mundshëm edhe të vetë Sampdorias për shkak të dyshimeve për një ndeshje të vitit 2011 që mendohet si e trukuar. Në rastin e Lacios, vendin që mund të linin bosh kryeqytetasit mund ta plotësonte Fiorentina, që tashmë duhet të mendojë thjesht për Ligën e Evropës.