AlbanianSport.com 24/02/2022 18:40
ASNN – Dënon pushtimin ushtarak rus të Ukrainës, premton reagim në terma sportivë. UEFA ka dënuar pushtimin ushtarak rus të Ukrainës. Në një deklaratë të shkurtër të publikuar në faqen e tij zyrtare në Internet, organizimi që qeveris futbollin kontinental ka premtuar reagim në terma sportivë kundrejt kësaj ngjarjeje të rëndë.
“UEFA ndan shqetësimin e madh të komunitetit ndërkombëtar për gjendjen e sigurisë që po shpërfaqet në Evropë dhe dënon me forcë pushtimin ushtarak të Ukrainës nga Rusia, që vijon edhe në këto çaste”, – shkruan deklarata në fjalë, që më tej vijon:
“Si organizmi që qeveris futbollin evropian, UEFA po punon pa pushim që të zhvillojë dhe të promovojë këtë sport në përputhje me vlerat e përbashkëta evropiane, të tilla si paqja dhe respekti për të drejtat e njeriut, në përputhje me shpirtin e kartës Olimpike. Ne mbetemi të patundur në solidarizimin me komunitetin e futbollit në Ukrainë dhe jemi gati t’u zgjatim dorën e ndihmës popullit të Ukrainës.”
Në mbyllje të deklaratës së saj, UEFA thekson se po e ndjek dhe shqyrton situatën me seriozitetin dhe vëmendjen e plotë, duke sqaruar se do të reagojë edhe në lidhjen me çështje të ndryshme, të tilla si vendimi për finalen e Ligës së Kampioneve, që është caktuar të mbahet më 28 maj në Shën Pjetërburg.
“Vendimet do të merren nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të bëhen të ditura të premten”, – përfundon deklarata.