AlbanianSport.com 04/05/2020 17:10
ASNN – Si kurrë më parë në histori, fatin e lojës më popullore në botë e ka politika. Por Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka siguruar që futbolli i mirë dhe i zakonshëm do të kthehet së shpejti, edhe pse, sipas tij për kthimin nuk vendos komuniteti i sportit, por politikanët. UEFA e ka përkrahur me ngulm vazhdimin e sezonit, por vende si Holanda dhe Franca tashmë i kanë ndërprerë edicionet aktuale.
Kreu i organizmit që qeveris futbollin kontinental beson se kjo lojë do të ndryshojë vetëm për një periudhë të shkurtër, kur të kthehet, por pranon se vendimi final nuk është në dorën e tij. “Njerëzimi do të mposhtë koronavirusin, – ka thënë Çeferini, i cituar nga “Football-Italia”. Ne kemi parë se sa sensitive dhe e prekshme është bota jonë. Një situatë si kjo ia ka dalë të destabilizojë plotësisht atë.”
“Futbolli krijon energji pozitive dhe deri në rikthimin e futbollit njerëzit nuk do të kenë përceptimin se situata është normale”, – ka shtuar kreu i UEFA-s. Ai ka thënë se “futbolli do të ndryshojë, por vetëm për një periudhë të shkurtër”. “Ai tashmë ka mbijetuar luftëra dhe epidemi në të kaluarën, – ka thënë drejtuesi evropian. – Futbolli i mirë dhe i vjetër do të kthehet shpejtë.”
“Ne duam të shohim ndeshjet e futbollit sa më shpejtë të jetë e mundur, por çdo gjë varet nga vendimet e autoriteteve shtetërore. Me respektimin e të gjitha kërkesave shëndetësore dhe pa praninë e shikuesve, ndeshjet mund të kthehen relativisht shpejtë. Por nuk është sporti që vendos, është politika”, – ka përfunduar Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin.