Adriatik Balla 20.09.2015 16:15
Konfederata Evropiane e Futbollit, UEFA, nuk e ka toleruar kryqin nazist në një fushë futbolli, prandaj vendimi i dhënë për Kroacinë në Komisionin e Disiplinës me heqjen e një pike dhe pezullim për dy ndeshje nuk është vënë në diskutim në Apel, sepse kjo çështje u cilësua si primare për UEFA-n, duke bërë bujë ndërkombëtare. Ngjarja ndodhi në ndeshjen eliminatore të Grupit H me Italinë. Komisioni i Apelit në selinë e Konfederatës Evropiane la në fuqi penalizmin me një pikë të përfaqësueses.
Gjithashtu, për Kroacinë mbeten edhe dënimet me dy ndeshje me dyer të mbyllura, ndalimi i shfrytëzimit të stadiumit “Polijud” deri në fund të eliminatoreve të Euro 2016 dhe gjoba me vlerë 100 mijë Euro për Federatën Kroate. Në sfidën e luajtur në Split në 12 qershorin që kaloi, Kroacia dhe Italia barazuan me rezultatin 1-1. Gjatë natës, në fushën e lojës, huliganët kishin vizatuar në fushë “svastika”-n, simbolin e përdorur gjerësisht nga nazistët gjermanë para dhe gjatë luftës së dytë botërore.
Simboli u dallua vetëm pas nisjes së ndeshjes dhe delegacioni italian u ankua te UEFA. Zyrtarët e Federatës Kroate e cilësuan ngjarjen sabotim dhe kërkuan nga policia të zbulonte autorët. Ndërkohë, dënimi i UEFA-s u cilësua si masa më e ashpër ndëshkuese në historinë e përfaqësueses dhe vendimi u apelua. Por, mbrojtja se Federata dhe organizatorët e ndeshjes nuk kanë lidhje me ngjarjen nuk i bindi anëtarët e Komisionit të Apelit.