AlbanianSport.com 02.12.2014 19:50
ASNN – Komisioni i Apelit i organizmit që qeveris futbollin evropian, UEFA, i cili është mbledhur sot për të dëgjuar pretendimet e palëve mbi çështjen e ndeshjes së ndërprerë të 14 tetorit Serbi-Shqipëri, nuk i ka lëvizur asnjë presje vendimit të Komisionit të Disiplinës.
Sipas vendimit të zyrtarizuar dhe të publikuar në ora 19:30 në faqen e UEFA-s në Internet, pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve mbi vendimin e 23 tetorit, që mori Komisioni i Disiplinës, Komisioni i Apelit vendosi:
- Të hedhë poshtë kërkesën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Disiplinës, që ia jep fitoren në tavolinë Serbisë me rezultatin 3-0, si dhe e gjobit Shqipërinë me 100,000 euro.
- Të hedhë poshtë kërkesën e Federatës Serbe të Futbollit dhe të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Disiplinës, që i heq Serbisë 3 pikë, e dënon t’i luajë dy ndeshjet e radhës të Eliminatoreve të Euro 2016-s pa tifozë, si dhe e gjobit me 100,000 euro.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë hapi i radhës i Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila pati deklaruar paraprakisht se, nëse nuk do të mbetet e kënaqur nga vendimi i Apelit, do ta çojë çështjen në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë të Zvicrës.