AlbanianSport.com 06/05/2020 17:10
ASNN – Kriza e shkaktuar nga epidemia e virusit korona ka sjellë një pështjellim të konsiderueshëm në botën e sportit dhe sidomos në futboll. Pezullimi i kampionateve ka shkaktuar një rrëmujë të madhe në kalendaret e “topkëmbës” evropiane, ku spikat “Euro 2020”-ta, që ishte programuar të niste në datë 12 qershor, por është shtyrë për verën e ardhshme.
Ndërkohë, mësohet se kompania “Hypercube”, e cila është partnere e UEFA-s, ka përgatitur një kalendar të ri futbollistik deri në gushtin e vitit 2023. Sezoni i ardhshëm, 2020-2021, pritet të nisë në fund të dhjetorit të këtij viti dhe do të mbarojë në nëntorin e vitit të ardhshëm. Në mesin e sezonit do të bëhet një ose dy muaj “pushim” për të krijuar frymëmarrjen e nevojshme për “Euro 2020”-ën.
Ndërkaq, sezoni 2021-2022 mendohet të nisë në mes të dhjetorit të vitit 2021 për të përfunduar në 1 nëntor të vitit 2022. Vetëm 20 ditë më pas do të nisë Botërori i Katarit, që është e veprimtari e këtij kalibri që zhvillohet në dimër. “Katar 2022″ do të përfundojë në 18 dhjetor. Kurse sezoni 2022-2023, që do të ishte edhe më i ngjeshuri, do të luhej nga janari, deri në mesin e korrikut.
Një muaj pushime dhe pastaj do të fillojë sezoni 2023-2024 në mesin e gushtit, për t’u rikthyer sërish në kalendarin normal. Drejtori i “Hypercube”, Pieter Nieuvenhuis, ka folur rreth këtij projekti për të përditshmen më të madhe britanike, “The Sun”, duke zbuluar edhe koston financiare. “Kjo është mënyra më e mirë që të gjitha kampionatet të vendosën në fushë”, – ka thënë ai
“Plani ynë është financiarisht i realizueshëm dhe do të shmangë falimentimin e shumë klubeve, – ka vijuar Nieuvenhuisi. – Kemi llogaritur gjithçka dhe duhet një financim prej 7 miliard stërlinash për të gjithë Evropën. Mund të duket si një shumë e madhe, por nuk është asgjë krahasuar me 30 miliard stërlinat që qarkullon në vit futbolli evropian i klubeve.”