AlbanianSport.com 10.05.2016 07:05
ASNN – Dhunohet fizikisht gazetari sportiv i TeleSportit, Eduart Ilnica. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se autori i dhunës është presidenti i Klubit të Futbollit “Kastrioti” të Krujës, Alban Vogli. Shkak për këtë ngjarje është bërë një artikull i botuar nga Ilnica në një media lokale. Pas ngjarjes, presidenti i Kastriotit, Vogli është arrestuar dhe po hetohet për tre vepra penale.
Një ngjarje e shëmtuar ka ndodhur të hënën në orët e vona të mbrëmjes në Tiranë, teksa është dhunuar fizikisht, gazetari sportiv i TeleSportit, Eduard Ilnica. Menjëherë ai është dërguar në spital ku ka marrë ndihmën e parë. Burimet spitalore bëjnë me dije se Ilnica ka pësuar fraktura dhe hematoma nga goditjet e marra. Sipas informacioneve paraprake, ka qenë presidenti i klubit të futbollit “Kastrioti” të Krujës, Alban Vogli, ai që e ka goditur me mjete të forta gazetarin Ilnica.
Sipas njoftimit të policisë, ky shtetas ka tentuar ta marrë me forcë në mjetin e tij Ilnicën, ku e ka dhunuar duke e goditur me mjete të forta. Arsyeja ka qenë, publikimi i një artikulli që gazetari ka publikuar në një gazetë lokale, për dhunën që është shkaktuar pas ndeshjes së të shtunës, Korabi-Kastrioti. Presidenti i klubit krutan është arrestuar dhe materialet i kanë kaluar prokurorisë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë.
Vogli akuzohet për veprat penale: Plagosje e rëndë me dashje, heqja e paligjshme e lirisë dhe goditje për shkak të detyrës.