AlbanianSport.com 10.09.2015 22:05
ASNN – Gjithnjë e më tepër po vërtetohet thënia se sporti sot në vendet e zhvilluara nuk është më thjesht i tillë, pra thjesht sport, për më tepër zbavitje dhe argëtim. Që, në anën tjetër, përkthehet në të ardhura financiare, që pak vite më parë nuk mund të imagjoheshin të vinin nga burime të tilla.
Kështu, sipas një hulumtimi të “VisitBritain”, numri i turistëve futbollistikë që vizituan Britaninë e Madhe është rritur ndjeshëm. Një raport i ri dëshmon për një rritje me më tepër se 50,000 vetë brenda 5 viteve të fundit, të njerëzve që në itinerarin e tyre të vizitës në këtë vend, përfshijnë edhe ndjekjen e një ndeshjeje futbolli në Stadium.
“VisitBritain” thekson se më tepër se 800,000 vizitorë të huaj ndoqën një ndeshje futbolli gjatë vitit 2014 në Britaninë e Madhe, duke shpenzuar për këtë plot 684 milionë stërlina angleze, çka përfaqëson një rritje me 15 % krahasur me shifrat e përllogaritura në vitin 2010.
Në krye të listës qëndron Stadiumi i Mançester Junajtid, “Olld Traford”, i mbiquajtur si “Teatri i Ëndrrave”, me 109,000 vizitorë të huaj, po aq sa ka edhe impianti i ndërtuar rishtas, Stadiumi “Emirejts”, i Arsenalit. I treti renditet “Enfilld”-i i Liverpulit, me 99,000, i ndjekura nga “Stemford Bridxh”-i i Çellsit, me 89,000 dhe “Uembli”, me 51,000 vizitorë.