AlbanianSport.com 09/08/2019 11:20
ASNN – Ish-gazetari, Ergi Lubani është trajneri i ri i Turbinës. Trajneri i ri kryeqytetas, pas përvojave me të rinjtë e Dinamos, me Sopotin, Korabin dhe së fundi si ndihmës i Ilir Dajës te Flamurtari, ulet në stolin e ekipit cërrikas, ku zë vendin e Sinan Bardhit, i larguar pas humbjes së thellë me Laçin. Presidenti Gentian Gjoka ka menduar t’ia besojë drejtimin e skuadrës Lubanit, i cili ka nisur menjëherë nga puna.
“Më bindi oferta dhe dashamirësia e presidentit Gjoka për të drejtuar Turbinën, – ka thënë ai. – Planet e drejtuesve për afrimin e futbollistëve cilësorë ishin arsyeja kryesore që pranova të punoja me skuadrën cërrikase. Jam i ri në moshë, por jo në botën e futbollit, ndaj mendoj se kam përvojën e duhur për të drejtuar Turbinën, pasi kam mësuar diçka nga trajneri më i mirë në Shqipëri, Ilir Daja.”
“Mendova se ka ardhur koha për këtë sfidë dhe uroj t’ua shpërblej besimin drejtuesve të Turbinës”, – ka deklaruar Lubani për mediat sportive pas prezantimit. Nga ana tjetër, Bardhi pohoi se është larguar me mirëkuptim. “E pashë të udhës të largohem tani që është ende herët dhe besoj se trajneri i ri do të ketë kohë të mjaftueshme për ta nisur me sukses sezonin, – tha ai. – Falënderoj bashkëpunëtorët e mi për periudhën që kalova në Cërrik.”