AlbanianSport.com 19.05.2015 17:05
ASNN – Italia sërish është goditur nga një skandal i trukimve të ndeshjeve futbollistike, ndërsa shqiptarët sërish janë përfshirë në të tilla çështje. Pas skandaleve të njëpasnjëshme në Serinë A dhe B, tashmë në qendër të furtunës janë vendosur edhe kategoritë inferiore. Një hetim i Prokurorisë së Katanxaros ka zbuluar se rezultati i më shumë se 30 ndeshjeve është paracaktuar me qëllim përfitimin e një rrjeti të organizuar në mënyrën më të mirë ku ishte përfshirë edhe mafia.
Por ajo që shqetëson më shumë prokurorët është fakti që të përfshirë në paracaktimin e rezultateve janë pjesëtarë të lidhur me Dragetën si dhe persona me nënshtetësi të huaj si maltezë, serbë si dhe dy shqiptarë. Kështu, dy janë shtetasit shqiptarë që janë pjesë e grupit me personat e arrestuar tashmë gjatë operacionit “Dirty Soccer” (Futbolli i pisët). Mediat italiane raportojnë se Edmond Nerjaku dhe Erikson Aruçi janë shqiptarët e arrestuar.
I pari sipas Prokurorisë së Katanxaros është financues ndërsa tjetri bashkëpunëtor. “Mes personave të ndaluar është një qytetar shqiptar që akuzohet edhe për pengmarrje, – ka thënë kryeprokurori, Vinçenco Lombardo. – Kur ndeshjet nuk përfundonin me rezultatin e paracaktuar kishte përplasje mes drejtuesve të skuadrave dhe financuesve të trukimeve. Një nga këto ka përfunduar me sekuestrim personi dhe një shtetas shqiptar akuzohet edhe për pengmarrje.”
Sipas hetuesëve hetimet do të vazhdojnë, pasi ka të dhëna se ky rrjet ka dashur të trukojë edhe ndeshje në Serinë B të futbollit italian. Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët dalin të jenë të përfshirë në skandale të tilla nëpër Evropë.