Gjergj Vyshka 21.08.2015 10:25
Në Serinë B, në vend të siçiljanëve dhe Teramos, do të jenë Virtus Entela dhe Askoli. Shpejt dhe kalendari i sezonit 2015-2016. Rënie në Lega Pro dhe fillimi i kampionatit me minus 12 pikë. Ky ka qenë vendimi përfundimtar i Gjykatës Federale për Katanian në çështjen e lidhur me ndeshjet e fiksuara nga presidenti Pulvireti në mbyllje të sezonit të kaluar në Serinë B. Është një dënim shumë më i rëndë nga ai që kishte kërkuar prokurori Palaci, i cili e kishte lënë Katanian në Lega Pro, por ta niste kampionatin me minus 5 pikë.
Ndërkohë Gjykata Federale ka marrë vendimin e rrëzimit të Teramos dhe Savonës në Serinë D, por pa penalizime në pikë. Të dyja skuadra kishin kombinuar ndeshjen e kaluar të 2 majit, atje ku fitorja e abrucezëve e ngjiste Teramon për herë të parë në historinë e saj në Serinë B. Janë edhe dënime të tjera, kur Kozentino është dënuar katër vjet dhe gjobë 50.000 euro. Ish-presidenti i Katanias, Pulvireti është dënuar pesë vjet dhe gjobitur me 300.000 euro (150.000 euro gjobë edhe klubit). Po kështu burg pesë vjet për Piero Di Lucion, i cili është gjobitur me 150.000 euro.
Prokurori Palaci kishte kërkuar një dënim më të lehtë për Katanian mbi bazën e nenit 24, kjo edhe për shkak të bashkëpunimit të Pulviretit me drejtësinë. Por Gjykata ka thënë: “E drejtë, por faktet janë të rënda”. Sakaq Kampiteli e Dele Piane 4 vjet dhe gjobë 100.000 euro, Bargixhiani 3 vjet e gjysmë, Korda 2 vjet, Di Xhiuzepe 4 vjet, Di Nikola 5 vjet, Mateini 3 vjet e gjysmë, Peshe 3 vjet e gjysmë. Në të njëjtën kohë Lamezia e Torres qëndrojnë në Lega Pro, Brindizi është përjashtuar nga çdo kampionat.
Vigor Lamecia e nis sezonin me minus 5 pikë, Barleta me minus 3 pikë, Neapolis, Torres e San Severo me minus 2 pikë, L’Akuila, Luparense dhe Puteolana minus 1 pikë. Tashmë pas dhjetë ditësh Katania, Savona e Teramo do të bëjnë apelimin, sepse kanë reaguar duke thënë që janë dënuar pa fakte. Por ajo që mbetet është se Seria B dhe Lega Pro, ndërsa më 25 dhe 27 gusht do të luajnë dy javët e para, do të hedhin shortin e sezonit 2015-2016 mbi bazën e vendimit të shkallës së parë.