Adriatik Balla 20.05.2015 11:05
Policia italiane arrestoi dje 70 persona të cilët lidhen me trukimet e ndeshjeve. Kështu, dje u shënua rasti i radhës së një valë arrestimesh që prekën lojtarë, ekipe, trajnerë e drejtues, për përfshirje në veprimtari të paligjshme për trukimin e ndeshjeve. Me të arrestuarve janë dhe dy shqiptarë, pjesë të trukimeve, të cilët kur nuk realizoheshin si duhet rezultatet arrin të merrnin peng edhe lojtarë të kategorive të ndryshme.
Zbulohet identiteti i dy shqiptarëve të arrestuar nga Policia Italiane në kuadër të operacionit “Dirty Soccer” të udhëhequr nga Prokuroria e Katanzaros, e cila po heton trukimin e ndeshjeve të Lega Pro dhe Serisë D në futbollin italian. Ata janë Edmond Nerjaku dhe Erikson Aruçi. Sipas Prokurorisë së Katanzaros, Nerjaku i datëlindjes 1973, është financues në këtë skandal, ndërsa Aruçi i lindur në vitin 1990, është bashkëpunëtor.
“Mes personave të ndaluar është një qytetar shqiptar që akuzohet edhe për pengmarrje. Kur ndeshjet nuk përfundonin me rezultatin e paracaktuar kishte përplasje mes drejtuesve të skuadrave dhe financuesve të trukimeve. Një nga këto ka përfunduar me sekuestrim personi”, – ka deklaruar për kryeprokurori, Vinçenco Lombardo. Rreth këtij skandali vijojnë me intensitet hetimet, që pritet të zbulojnë fakte të reja rreth personave dhe skuadrave të implikuara në skandalin e basteve.