AlbanianSport.com 28/05/2019 21:05
ASNN – Midis të arrestuar, edhe ish-futbollisti i Realit të Madridit, Raul Bravo, dhe një president klubi. Policia ka njoftuar se janë kryer një numër arrestimesh të lojtarëve apo drejtuesve të skuadrave të ndryshme në dy nivelet më të larta të kampionatit spanjoll të futbollit, me dyshime se kanë trukuar ndeshje. Gjatë operacionit mësohet se u arrestua ish-futbollisti i Realit të Madridit, Raul Bravo, i cili dyshohet se është personi kryesor i organizatës.
Futbolli spanjoll është tronditur të martën, pasi Policia ka njoftuar se janë kryer një numër arrestimesh të lojtarëve apo drejtuesve të skuadrave të ndryshme në dy nivelet më të larta të kampionatit vendas, me dyshime se kanë trukuar ndeshje. “Reagimi i policisë ka ardhur pas ankesave për trukime të mundshme gjatë një ndeshjeje të majit të 2018-ës, të ngritura nga Liga e Futbollit”, – ka bërë të ditur një zëdhënës i organizmit që qeveris kampionatin spanjoll të futbollit.
Mësohet se Liga Spanjolle ka raportuar në polici edhe për 8 raste të tjera të dyshuara për trukime ndeshjesh. Sipas medieve vendase, manipulimet e ndeshjeve kanë ndodhur gjatë dy sezoneve të fundit, 2016-2017, si dhe 2017-2018. Gjatë operacionit mësohet se u arrestua ish-futbollisti i Realit të Madridit, Raul Bravo, i cili dyshohet se është personi kryesor i organizatës, si dhe Borha Fernandez, ish-futbollist i Vajadolidit, Karlos Aranda, i tërhequr nga futbolli, Samu Saiz i Hetafesë dhe Inigo Lopez i Deportivo La Korunjës.
Gjithashtu është arrestuar edhe presidenti i klubit të Hueskas, Agustin Lasaosa, si dhe shefi i shërbimeve mjekësore të klubit, Galindo. Mediat spanjolle raportojnë se policia është duke punuar për zbardhjen e provave. “Falënderojmë policinë për punën e jashtëzakonshme që ka bërë për çmontimin e një grupi të strukturuar kriminal që siguronte përfitime ekonomike nëpërmjet paracaktimit të ndeshjeve të futbollit, – ka vijuar zëdhënësi i Ligës Spanjolle, duke përsëritur përkushtimin e saj për një futboll të pastër dhe të ndershëm.