AlbanianSport.com 31/03/2019 15:25
ASNN – Kristaps Porzingis, basketbollisti letonez që sezonin e ardhshëm do të luajë me Dallas Maveriks, akuzohet për abuzim seksual. Lajmin e ka publikuar “New York Post”, sipas së cilës agresioni ka ndodhur në shkurt 2018 pikërisht në Nju Jork. Viktima është një ish-fqinje e tij, e cila nuk ka denoncuar menjëherë, pasi po negocionte me basketbollistin për shumën 68 mijë dollarë për heshtjen e tij.
Avokati i Porzingisit ka shpjeguar se klienti i tij është në dijeni të akuzave dhe i ka hedhur poshtë ato në mënyrë kategorike. Basketbollisti 23-vjeçar nuk luan që nga shkurti i 2018-ës për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju. Sipas fakteve të grumbulluara nga e përditshmja amerikane, ngjarja ka ndodhur disa orë pas dëmtimit në gju të lojtarit, që e ka ndalur Porzingis tashmë prej muajsh të luajë.
Sipas akuzave të vajzës, basketbollisti ishte kthyer në shtëpi, dhe e kishte ftuar vajzën të pinte diçka në apartamentin e tij. Më pas Porzingis kishte përdorur forcën për ta detyruar vajzën të kryente raporte seksuale me të. Viktima i është drejtuar policisë vetëm një vit më vonë pas ngjarjes, pasi ka dashur ta mbajë të fshehtë fillimisht në këmbim të parave.
Për momentin policia e Nju Jorkut nuk ka dhënë detaje, dhe Dallas Maveriks kanë publikuar një deklaratë, se klubi nuk mund të komentojë asgjë derisa të zbardhet ngjarja nga autoritetet federale.