AlbanianSport.com 11/08/2018 20:05
ASNN – Takimi i dytë i trofeut Trofeu “Paskuçi 2018”, që u zhvillua në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ka qenë ai midi Teutës vendase dhe Lirisë së Prizrenit. Në fakt, kjo përballje që konsistoi në 45 minuta lojë, ka folur më tepër për skuadrën durrsake, e cila, e drejtuar tashmë nga trajneri i ri Blendi Shkëmbi, por edhe e përforcuar me një numër lojtarësh cilësorë nga kampionati shqiptar, e ka kontrolluar lojën, edhe për faktin se ishte më e freskët sesa skuadra nga Kosova.
Pas 17 minutash lojë, Kamara do të kalojë Teutën në epërsi, pas një goditjeje këndi. Teuta do të vazhdojë të këmbëngulë dhe do ta vërë në vështirësi portën e Lirisë. Dhe në minutën e 27-të, ka qenë një gabim i portierit të skuadrës nga Kosova që i ka dhënë mundësi Ditmar Bicajt të shënojë.
Lodhja ka bërë të vetën dhe skuadra mike nuk ka më energji të reagojë dhe Teuta fiton 2-0, duke siguruar vendin në finale ndaj Partizanit. Pas sfidës së dytë, dy titullarë të rikthyer, mbrojtësi Tefik Osmani dhe portieri Isli Hidi, kanë vlerësuar procesin e rindërtimit të Teutës.