AlbanianSport.com 12.11.2014 22:05
ASNN – Nuk ka vonuar, sikundër ndodh rëndom, që politika të derdhë urimet e saj për kampionin e ri shqiptar të botës në peshëngritje. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që përmes një statusi në “Facebook” ka shpehur lumturinë e tij për këtë arritje. “Uh, çfarë gëzimi! Daniel Godelli kampion bote në peshëngritje! Do të tentojë pas pak rekordin botëror! Sapo e urova, fantastike!” – shkruan kreu i ekzekutivit shqiptar.
Nga ana e vet, Ministrja e Sporteve, Lindita Nikolla, ka shkruar në Facebook: “Lajme të mira nga Kazakistani! Daniel Godelli me medalje ari në Botërorin e Peshëngritjes.” Kryebashkiaku i Tiranës, njëkohësisht kreu i PD-së dhe opozitës shqiptare, Lulzim Basha, ka uruar gjithashtu peshëngritësin Godelli për suksesin e madh, duke shkruar: “Sportistët e Sport Klub Tiranës nderojnë sërish Shqipërinë. Faleminderit Daniel Godelli, kampioni më i ri i botës në peshëngritje!”
“Mbështetja për ju, detyrimi ynë. Urime edhe Erkand Qerimajt për rezultatin e arritur. Urime dhe suksese sportistëve tanë që na bëjnë krenarë. Përpara Shqipe!” – ka vijuar Basha në faqen e tij zyrtare në “Facebook”. Ish-kryeministri Sali Berisha nuk i ka kursyer urimet, po ashtu, për suksesin e peshëngritjes shqiptare në Almati të Kazakistanit. “Daniel Godelli, dy herë kampion bote në peshëngritje! Lajm i madh për sportin dhe shqiptarët vjen nga Almati, Kazakistan! Urimet më të përzemërta mbretit shqiptar të peshëngritjes, kampionit të botës në peshën e tij, Daniel Godelli. Urimeee!” – shkruan Berisha në “Facebook”.