AlbanianSport.com 22/06/2020 19:25
ASNN – Ishte padyshim një nga goditjet më të papritura në merkaton e verës dhe më të papritur e bëri fakti që vetë klubi i tij, Partizani, e bëri të ditur transferimin e tij të dielën në mbrëmje vonë, në një postim në profilin zyrtar në rrjetin social, “Facebook”. Dhe, pas pas plot 6 viteve si pjesë e Partizanit, Lorenc Trashi ka vendosur të largohet nga të kuqtë, për të kaluar te skuadra nga Kuvajti, Al-Kadsia. Me këta të fundit, mbrojtësi i djathtë ka nënshkruar një kontratë për 5 sezonet e ardhshme dhe do të bashkohet me ekipin e ri, sapo të rihapen kufijtë e bllokuar për shkak të epidemisë së shkaktuar nga virusi “Covid-19”.
Të kuqtë kryeqytetas do të përfitojnë rreth 250 mijë dollarë nga ky transferim. Nga ana tjetër, në total “operacioni” ka një kosto prej 1.5 milionë dollarësh. Kjo, për vetë faktin se në kontratën që mbrojtësi ka firmosur, do të paguhet me 250 mijë dollarë në sezon. Kësisoj, në 5 sezone në Kuvajt, futbollisti nga Gramshi do të përfitojë në total 1 milion e 250 mijë dollarë. Duke shtuar këtu edhe përfitimin e Partizanit, që disponon kartonin e lojtarit, “operacioni” shkon fiks 1.5 milionë dollarë. Në një postim të bërë së fundmi në profilin e tij në rrjetin social “Instagram”, Trashi i ka falënderuar të gjithë, duke filluar nga klubi, për të vazhduar me presidentin, menaxherin, tifozët dhe familjen e tij.
Në këtë postim, Trashi falënderon tifozët e kuq për gjithçka, duke shtuar se pa ta asgjë nuk do të kishte kuptim. “Dua t’ju njoftoj te gjithëve se që nga dje kam arritur marrëveshjen me klubin më të madh në Kuvajt, Al-Kadsia Sporting Club dhe do jem pjesë e tyre për 5 sezone, – shkruan në nisje të postimit të tij futbollisti i Partizanit. – Dua të falënderoj presidentin Demi për miratimin që më dha për këtë transferim dhe çdo gjë që ka bërë për mua në këto 6 vite si pjesë e Partizanit. Falënderoj menaxherin tim që bëri te mundur këtë transferim, Franci Boden.”
“Patjetër të gjithë stafin e Partizanit nga i pari tek i fundit, i falënderoj për çdo moment që kemi kaluar së bashku në të mirë e në të keqe kemi qenë një familje e madhe bashkë, – ka vijuar Trashi. – S’mund te harroj protagonistët kryesorë nga këto 6 vite më të bukura, tifozët e Partizanit. Faleminderit për mbështetjen që më keni dhënë në çdo moment të keq dhe të mirë dhe faleminderit qe keni treguar një respekt shumë të madh për mua. Faleminderit për praninë tuaj në stadium dhe faleminderit grupimit më të madh në Shqipëri “Ultras Guerrils”, pa ju nuk ka kuptim asgjë, ju i jepni fuqi ekipit dhe e motivoni për te dhënë maksimumin çdo lojtar që vesh atë fanelle te rëndë të Partizanit.”
Në mbyllje, 28-vjeçari ka falënderuar edhe familjen e tij dhe atë të Partizanit. “Gjithashtu familja ime që nuk ka reshtur kurrë duke më mbështetur, – ka theksuar futbollisti që ka veshur së fundmi edhe fanellën e Kombëtares, duke shënuar madje edhe gol. – Prindërit e mi, motrat e mia dhe e fejuara ime qe kanë qenë pranë meje ditë, natë me problemet dhe gëzimet e mia, duke me motivuar që unë të arrij objektivat e mia. Faleminderit!! Faleminderit Familja e Kuqe e Partizanit, Shpresoj të jemi përsëri së bashku një ditë.”