AlbanianSport.com 10.12.2015 14:15
ASNN – Roma ka ndryshuar fytyrë duke nxjerrë faqen e re zyrtare të klubit në internet, e para që realizohet edhe falë këshillave dhe ideve të tifozëve.
Intervista e parë dhe nuk mund të ishte ndryshe ka qenë me kapitenin Toti, i cili ka përshkuar karrierën e tij.
“Kur të tërhiqem dua të kujtohem me respekt, – thotë ai për “asroma.com”. – Ndeshja më e bukur që kam bërë në karrierë?”
“Roma-Juve 4-0, bashkë me Kasanon nuk kemi gabuar asgjë”, – kujton kapiteni në intervistën e tij, që AlbanianSport.com jua sjell në dy pjesë, sot dhe nesër dhe sot është pjesa e parë.
– Ta fillojmë nga hapat e parë në karrierë, në 1993-in, viti i debutimi në Serinë A. Gjithçka filloi në rolin e fantazistit ose sulmuesit të dytë…
– Po. Isha i ri, përpara kisha shumë sulmues. Ishte argjentinasi Balbo dhe nga 1994-a erdhi edhe Fonseka. Në atë periudhë më pëlqente të ndihmoja shokët e skuadrës që të shënonin. Argëtohesha më shumë duke i ndihmuar ata të shënonin se sa të shënoja vetë.
– Nëse do të ktheheshe mbrapa do të pëlqente të luaje si sulmues që nga fillimi i karrierës?
– Po, nëse do të kisha mundësi të zgjidhja.
– Sa rëndësi ka stërvitja në krahasim me talentin?
– 50 % me 50 %. Stërvitja është thelbësore për të ruajtur formën. Shpesh duhet të jesh më i aftë në aspektin psikologjik se sa në atë fizik.
– Festimi i preferuar i një goli?
– Gishti në gojë. Tashmë e bëj instinktivisht, nuk mund ta ndryshoj. Nga ajo ndeshje Roma-Kievo e 2005-ës e kam bërë gjithmonë. Në të vërtetë fillimisht kam dashur ta bëj për Ilarinë, që rri gjithmonë më gishtin në gojë. Më pas është kthyer në një dedikim për të tre: Ilarinë, Kristianin dhe Shanelin.
– Goli i parealizuar që do të kishe dashur ta shënoje?
– Një pyetje e vështirë, prit të mendohem… Në një përballje me Juventusin në sezonin 1997-98, Peruci bëri një pritje të dyfishtë të jashtëzakonshme. Instinkt i pastër: më ka mbetur në mendje ai moment.
– Mbrojtësi i ashpër me të cilin je përballur?
– Nuk ekziston vetëm një. Montero, për shembull, ishte një nga ata që në një moment çmendurie bënte një ndërhyrje të bujshme, por gjatë ndeshjes ishte më i qetë. E njëjta gjë vlen edhe për Tudorin, Materacin dhe Kanavaron. E ndjeje ajrin që lëvizte mbas teje dhe e kuptoje se po vinin. Nëse ke eksperiencën e duhur, në raste të tilla provon të kërcesh përpara për të shmangur kontaktin. Nuk e bënin me keqdashje, por disa goditje ndihen shumë.
Vijon nesër…