AlbanianSport.com 29/10/2021 20:25
ASNN – Kush fiton qëndron në krye të skuadrës së vet. Ole Gunar Solskjaer dhe Nunjo Espirito Santo e dinë se “sëpata” mund të bjerë mbi njërin prej tyre në përfundim të sfidës Totenhem-Mançester Junajtid. Të dy trajnerët janë etiketuar si “mina me sahat” pasi po kalojnë një situatë të mjerueshme me skuadrat e tyre përkatëse. Shumë ekspertë televizivë, ish-futbollistë dhe tifozë besojnë se ndeshja e së shtunës në stadiumin e Totenhemit do të jetë faktori vendimtar nëse këtyre trajnerët do t’u jepet mundësia për të qëndruar apo për t’u larguar. “Sportsmail” ka analizuar udhëtimin e secilit trajner deri në këtë pikë dhe ka vlerësuar se sa e dëmshme do të jetë një humbje të shtunën në mbrëmje.
Si lojtar, Solskjaer ka fituar shumë trofe, por, si trajner, ai ka pak arritje. Trajneri relativisht i papërvojë arriti të marrë vetëm një medalje të argjendtë me Mançester Junajtid në finalen e Ligës së Evropës në sezonin 2020-2021. Megjithatë Solskjaer ka përqindjen e 3-të më të mirë të fitoreve nga çdo trajner i Mançester Junajtid deri më tani. Të gjithë e dinë se janë trofetë, rekordet dhe rastet e mëdha që mbajnë një trajner në punën e tyre dhe duke parë rezultatet, Solskjaer mund të rrezikohet të humbasë të tijën. Pasi mori drejtimin në dhjetor 2018, Solskjaeri theu rekorde, por negtive. “Djajtë e kuq” pësuan humbjen e tyre të parë në shtëpi me Kardif Sitin, që nga viti 1954.
Por edhe të parën nga Bërnli, që nga viti 1962 dhe nga Shefilld Junajtid, që nga viti 1973. Sidoqoftë, ai arriti t’i kthejë gjërat dhe madje e udhëhoqi Mançester Junajtid në krye të tabelës në fillim të sezonit 2021-2022. Por tani gjigandja angleze është në formën e saj më të keqe, pasi ka marrë një pikë nga 4 ndeshjet e fundit. Si rezultat, Mançester Junajtid ndodhet në vendin e 9-të në renditjen e Premier Ligës, me vetëm 14 pikë pas 9 ndeshjeve. Drejtuesit e Mançester Junajtid kanë qëndruar të heshtur mes spekulimeve në rritje për të ardhmen e trajnerit. Një vendim i tillë nuk duket pozitiv, duke pasur parasysh se ata bënë të njëjtën gjë pak para shkarkimit të trajnerit të mëparshëm, Zhoze Murinjos.
Edhe trajneri i Totenhemit, Nunjo Espirito Santo, nuk ndodhet aspak në një situatë të favorshme. Trajneri portugez, i cili mori drejtimin e Vulverhempton Uondërërs në 2017-ës, tërhoqi vëmendjen e presidentit Levi. Nunjo tronditi tifozët kur mposhti Mançester Sitin në nisjen e Premier Ligës, duke treguar shenja se ishte në gjendje të shpëtonte një ekip që po fundosej. Por ai nuk ka qenë në gjendje të mbajë një formë të tillë dhe Totenhemi tani duket i dobët në mbrojtje dhe në mesfushë. Skuadrës gjithashtu i mugon kreativiteti dhe fuqia e finalizimit, ku bie në sy apatia e Herri Kejnit. Shumë e fajësojnë Nunjon për rënien e formës së fundmi të Totenhemit dhe statistikat flasin vetë.
Ai ka regjistruar një përqindje më të ulët të fitoreve sesa paraardhësit e tij, Mauricio Poçetino dhe bashkëatdhetari Zhoze Murinjo. Por duket se midis Nunjos dhe dyshes së golave, Kejn dhe Son, mungon ajo formula që funksionon. Nunjo duhet të kuptojë se si të nxjerrë më të mirën nga lojtarët e tij të shtunën, përndryshe ai mund të shkarkohet. Nëse Tottenhemi humbet, atëherë zërat që bëjnë thirrje për largimin e portugezit do të bëhen gjithnjë e më të forta. Për t’i bërë gjërat më keq për Nunjon, rekordi i tij përballë homologut Solskjaer nuk është i favorshëm. Ai ka arritur ta mposhtë vetëm dy herë trajnerin norvegjez të Mançester Junajtid, edhe pse është përballur 8 herë me të.