AlbanianSport.com 11.01.2016 21:45
ASNN – Tashmë sipari është ulur dhe dritat e sallës madhështore të Zyrihut janë shuar dhe ceremonia e “Topit të Artë” përfundoi me triumfin e Lionel Mesit, i cili hyri në histori si i pari lojtar që e fiton plot 5 herë këtë trofe kaq të lakmueshëm për individë në botën e futbollit. Por duke i hedhur një sy votave të dhëna, vihet re se Lorik Cana nuk ndan të njëjtin mendim me shumicën e trajnerëve, kapitenëve dhe komunitetit të gazetarëve që kanë votuar më herët për këtë gjë.
Sa i përket lojtarit më të mirë të vitit, kapiteni i kombëtares kuqezi ka preferuar Kristiano Ronaldon përpara dyshes së katallanëve, Mesit dhe Nejmarit (të cilët fituan Ligën e Kampionëve kundër Juventusit në finale), edhe pse portugezi nuk fitoi asgjë në edicionin e kaluar, as kampionatin, as Ligën e Kampioneve dhe as ndonjë trofe të rëndësishëm me Portugalinë, pasi nuk ishte vit i rëndësishëm për ekipet kombëtare në mungesë të ndonjë Botërori apo Evropiani.
Ndryshe nga ai, trajneri italo-shqiptar Xhovani De Biasi i ka dhënë votën kryesore argjentinasit Mesi, duke lënë pas Kristiano Ronaldon dhe pastaj Tomas Mylerin e Bajernit të Mynihut. Shumë pak mund të mos e dinë, por për këtë trofe prestigjioz votojnë edhe përfaqësuesit e medias, e këtë rol nga Shqipëria e ka luajtur Besnik Dizdari, i cili ka preferuar “Pleshtin” argjentinas përpara Kristiano Ronaldos dhe Nejmarit, duke mos dalë jashtë treshes së pretendentëve.
Ndërkohë, sa i përket votimit për trajnerin më të mirë të vitit, Cana ka preferuar atë të Barcelonës, Luis Enriken, përkundrejt Masimiliano Alegrit dhe Unai Emeri, njëri i Juventusit dhe tjetri i Seviljes në Spanjë. Ndryshe nga kapiteni i kuqezinjve, trajneri De Biazi dallon vetëm në preferencën e tretë, duke përzgjedhur Horhe Sampaolin e Kilit. Ndërsa për gazetarin Besnik Dizdari, në këtë treshe nuk ka vend për trajnerin e Juventusit, duke preferuar pas trajnerit katalan, atë të Seviljes dhe Kilit, pra Emerinë dhe Sampaolin.