AlbanianSport.com 12.01.2015 23:40
ASNN – Kristiano Ronaldo e ka fituar për herë të tretë “Topin e Artë” dhe për të dytin vit radhazi. Sulmuesi portugez ka marrë më tepër se 37% të votave të lojtarëve, trajnerëve dhe gazetarëve. Ai ka mundur në këtë garë argjentinasin Lionel Mesi dhe gjermanin Manuel Nojer, të cilët arritën të gumbullonin pak më shumë se 15% të votave secili.
“Falënderoj familjen time, djalin dhe Irinën, – ka deklaruar futbollisti i Realit të Madridit dhe Portugalisë. – Falënderoj të gjithë ata që votuan për mua. Trajnerin tim, shokët e ekipit dhe presidentin. Jam shumë i lumtur, ky sukses më jep forcë të vazhdoj të fitoj. Nuk më shkonte ndër mend të fitoja 3 herë “Topin e Artë”, por nuk dua të ndalem.”
“Ka qenë vit i paharrueshëm, – ka vijuar portugezi. – Ta fitosh këtë trofe, është diçka unike që kam punuar që sa kohë, për nënën time, babanë që më shikon nga lart dhe për djalin tim. Dua të bëhem edhe më i mirë. Dua të bëhem më i miri i të gjitha kohërave, kjo merr kohë dhe dua të ju falënderoj të gjithëve për këtë mbrëmje.”
“Dua të barazohem me Mesin dhe shpresoj t’ia arrij vitin e ardhshëm”, – ka thumbuar ai rivalin e tij. Ky ishte një triumf tjetër për Ronaldon, pas suksesit në Ligën e Kampioneve, Kupën e Mbretit, Superkupën e Evropës dhe Botërorin e Klubeve. Me këtë çmim, Kristiano Ronaldo barazohet me legjenda si Johan Krujf, Mishel Platini dhe Marko van Basten, që e kanë fituar nga 3 herë secili.
Pavarsisht e Kristiano Ronaldo e falënderoi publikisht, bukuroshja ruse nuk mori pjesë në ceremoninë gala të “Topit të Artë”. Për herë të parë pas vitit 2010, Irina Shaik nuk e shoqëroi Kristiano Ronaldon në ceremoninë e “Topit të Artë”. Një fakt i tillë u ra shumë në sy mediave spanjolle, të cilët që tani krijuan versionet e tyre për këtë mungesë.
Sipas tyre, ishte prania e familjarëve të tjerë të Ronaldos e veçmas nënës së tij, ajo që shtyu Irinën të mos jetë aty.