AlbanianSport.com 12.01.2015 18:25
ASNN – Në Zyrih përcaktohet sot fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2014. Ronaldo, Mesi dhe Nojer janë tre kandidatët për ta fituar këtë trofe. Ndërsa më pas do të përcaktohet edhe trajneri më i mirë si dhe shënuesi i golit më të bukur gjatë vitit 2014. Ky spektakël sportiv do të transmetohet drejtpërdrejt në Radio-Televizionin Shqiptar, duke nisur nga ora 18:30 dhe midis çmimeve është edhe 11-shi i botës dhe çmimi “Fair Play”.
Fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2014 do të përcaktohet sot në zyrih. Pikërisht në orën 18.30 nëpërmjet Radio-Televizionit shqiptar, të gjithë sportdashësit shqiptarë do të kenë mundësi ta ndjekin drejtpërsëdrejti këtë spektakël sportiv. Kandidatët për të fituar “Topin e Artë 2014”, janë dy sulmuesit e Realit të Madridit dhe Barcelonës, Kristiano Ronaldo e Lionel Mesi, si dhe portieri i Bajernit të Mynihut dhe Gjermanisë, kampione bote në 2014, Manuel Nojer.
Mbajtës i këtij trofeu është Kristiano Ronaldo. Ai së bashku me Mesin e kanë fituar “Topin e Artë” në 6 edicionet e fundit. Ndërsa portieri i Bajernit dhe Gjermanisë ndodhet për herë të parë midis tre pretendentëve. Nojer është protagonisti kryesor që me pritjet e tij i ka dhënë titullin “kampion” Bajernit të Mynihut dhe Gjermanisë në Botërorin “Brazil 2014”. Kush do të peshojnë më shumë sot në Zyrih, golat në Ligën e Kampioneve të sulmuesit portugez, rekordet e yllit argjentinas apo pritjet e talentit të portës gjermane?
Për trajnerë, kandidatë për të fituar “Topin e Artë” janë Karlo Ançeloti, Johakim Lëv dhe Diego Simeone, çmim ky që jepet nga FIFA dhe prestigjozja “Francë Futboll”. Trajneri i Realit të Madridit ka fituar edicionin e fundit të Ligës së Kampioneve. Lëvi është kampion bote me skuadrën e tij Gjermaninë, ndërsa Simeone është nënkampion I Evropës dhe kampion i Spanjës me Atletikon e Madridit për vitin 2014.
Çmimin “Pushkash” për golin më të bukur do ta diskutojnë Stefani Roke, sulmuesja irlandeze dhe dy yjet e futbollit botëror, Hames Rodrigez dhe Robin Van Persi, protagonistë absolutë me Kolumbinë dhe Holandën në Botërorin e fundit brazilian. Dy yjet botërorë padiskutim por që duhet të kenë kujdes nga goli i mrekullueshëm i realizuar nga Roke.