AlbanianSport.com 29.10.2014 08:50
ASNN – Myrto Uzuni është një ndër të rinjtë më të mirë të shkollës beratase dhe brenda dy sezonesh në skuadrën e parë është kthyer në një nga lojtarët më kyç të ekipit në fazën sulmuese. Në fillimin e këtij sezoni, trajneri Eqerem Memushi i ka dhënë shumë besim, duke e klasifikuar si një ndër titullarët e skuadrës dhe mesfushori i ri ia ka shpërblyer me një lojë të mirë, inkursione dhe harkimet nga krahu i majtë i fushës. Barazimi në sfidën ndaj Sopotit ka rikthyer qetësinë në radhët e Tomorit dhe këtë e shpreh edhe Uzuni në një deklaratë për gazetat sportive të ditës.
“Kemi kaluar një tjetër provë të vështirë këtë javë pas ndeshjes së barazuar jashtë fushës sonë, ndaj Sopotit, – ka deklaruar ai. – Skuadra ka treguar impenjim të mirë, edhe pse përballë kishim një nga surprizat e këtij kampionatit. Mendoj se barazimin e kemi merituar, madje me pak kujdes mund t’ia kishim dalë të shkonim edhe më mirë, pasi i patëm shanset tona për ta fituar këtë takim. Tashmë dukshëm skuadra është skicuar si një ndër ekipet e fillim tabelës dhe këtë e shoh si rrugën e duhur për objektivat tona.”
“Mendoj se jemi një grup i mirë, që kemi dhuruar në këto javë të para lojëra të mira dhe rezultate, – ka theksuar ai. – Këtu përjashtim bën vetëm humbja me Butrintin në Sarandë me atë rezultat të papritur dhe të thellë, 0-4. Skuadra reagoi shpejt dhe tani do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë për të marrë maksimumin në sfidat në vazhdim. Brenda kësaj jave do të kemi dy sfida shtëpiake ndaj Dinamos dhe Bylisit, atje ku synimi ynë është fitorja. Nëse skuadra jonë jep më të mirën, në fushën tonë nuk shoh arsye që të ketë rezultat tjetër përveç fitores së Tomorit.”
“Në aspektin personal ndihem mirë dhe në formë, por jam duke punuar shumë me qëllim realizimin e objektivave të mia personale. Në këto ndeshje të deritanishme kam punuar shumë duke dhënë më të mirën në fushë në zbatim të udhëzimeve të stafit teknik, të cilët duhet t’i falënderoj për besimin e dhënë. Por ajo që më mungon deri tani është realizimi golit. Synimi im në këto dy sfida shtëpiake do të jetë jo vetëm pikët që do marrë skuadra, por edhe gjetja e rrugës së rrjetës, që do të ishte i pari në këtë sezon për mua”, – ka përfunduar mesfushori beratas i Tomorit, Myrto Uzuni.