AlbanianSport.com 07.09.2016 09:35
ASNN – Edhe nën presionin e sportdashësve, por dhe të specialistëve, trajnerit të Tomorit, Bledar Sinella i kërkohet që të bëjë përforcime. Dhe ndër ta që kërkohen, edhe sepse kanë përvojë në Kategorinë Superiore, janë Mihani, Meto dhe Kiri. Në fakt Tomori është në kërkim edhe të një portieri.
Ideja ishte për Aldo Teqjen, që është dhe pjesë e përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve, por në momentet e fundit është marrë nga Skënderbeu. Ndaj tashmë është duke u kërkuar një portier, ndërsa miqësoret e fundit kanë nxjerrë defekte në të gjitha repartet. Në ndihmë të trajnerit Sinella ka ardhur dhe një sugjerim i Petrit Cilingirit.
“Unë mendoj se nuk duhet kursyer në këtë rast aq më tepër që Berati ka qenë mikpritës me jabanxhinjtë, sepse Tomori është një skuadër që di të evidentojë elementët. Për të kërkuar rezultatet që do të na ngjisin më lart duhen goditje cilësore. Ndaj duhet të lëvizin sa më shpejt, qoftë dhe me këta emra që ju përmendni”, – ka përfunduar Cilingiri.