AlbanianSport.com 23.10.2014 10:05
ASNN – Enea Bitri është një futbollist i ri i dalë nga ekipet zinxhir të Tomorit. Ai prej tri sezonesh aktivizohet me ekipin e parë. Edhe pse një futbollist i ri në moshë, falë formës së tij të mirë, si edhe synimit të klubit për promovimin e futbollistëve të rinj vendës e ka kthyer Bitrin në një titullar të padiskutueshëm në këto dy edicionet e fundit.
Në një prononcim për gazetat sportive të ditës, ai është shprehur: “Është kënaqësi e madhe për mua që të kontribuoj për ekipin tim të vendlindjes. Ka tre javë që kampionati ka filluar dhe ne e shohim veten me 6 pikë në klasifikim. Dy javët e para kanë qenë paksa delikate për ne, pasi jemi një grup i ri.”
“Në ndeshjen me Luftëtarin treguam një pjesë të mirë të formës sonë, por kemi ende për të dhënë pasi ky është vetëm fillimi, – ka vijuar futbollisti i ri beratas. – Kemi lënë pas entuziazmin e fitores me gjirokastritët dhe tani po shohim për suksesin e radhës përballë Sopotit. “
“Ky ekip ka treguar në këto javët e para që është një surprizë dhe nuk do të nënvlerësohet aspak nga ne, pavarësisht se është një skuadër që ka ardhur nga një kategori më poshtë. Shkojmë për të marrë3 pikët e para në vizitën e vështirë me Sopotin vendës”.