AlbanianSport.com 01.02.2015 13:05
ASNN – Tre ish janë bërë pjesë e skuadrës beratase. Bëhet fjalë për Vangjel Milen, që ka firmosur dje për Tomorin. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Mario Muzhaji dhe Josel Shtrepi. Por beratasit presin dhe Enea Bitrin, i cili do të kthehet nga Gjermania, teksa u provua tek FC Këlni II.
Sipas beratasve të hënën ai del në stërvitje. Ndërkohë zyrtarisht beratasit kanë bërë të ditur se nuk i japin lejet e kalimit për Alvaro Bishajn dhe Onils Idrizajn, të cilët kanë një kontratë deri në fund të sezonit me Tomorin. “Ata nuk mund të largohen sipas qejfit të tyre”, – kanë thënë beratasit për vlonjatët.
“Ose do të rikthehen në skuadër, ose do të qëndrojnë pushim deri në fund të kampionatit”, – kanë shtuar ata. Sakaq nga të ardhurit, ka folur portieri Josel Shtrepi, i cili ka deklaruar: “Jam i lumtur që u riktheva përsëri në shtëpinë time. Shpresoj të jap më të mirën e, pse jo, mos të me jepet mundësia të kontribuoj për ekipin e vendlindjes.”
“Së bashku mund t’ia dalim e të jemi në Superiore”, – ka përfunduar Shtrepi. Kësisoj Tomori merr formë, ndërsa pret dhe një goditje të fundit për të pasur një skuadër rivale me kryesuesit e grupit të Jugut në Kategorinë e Parë.