AlbanianSport.com 10.02.2015 13:55
ASNN – Në Berat vazhdon të ketë festë për fitoren ndaj Sopotit. Më tepër se sa trepikëshi, beratasit i ka gëzuar pa masë fitorja ndaj Sopotit, që në fakt në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër pati blerje të bujshme.
Pikërisht Algert Avdo, “pistoni” i krahut të djathtë të mesfushës beratase, për faqen në “Facebook” të KF Tomorit do të deklaronte: “Kemi fituar përballë një kundërshtari me përforcime të bujshme dhe kjo vlen për t’i treguar të gjithëve se futbolli luhet me shpirt dhe jo me para.”
“Jemi një grup modest, por në fushën e lojës mundohemi të jemi më superior se kundërshtari që na vihet përballë, – ka vijuar ai. – Zhvilluam një lojë të bukur dhe kjo është meritë e gjithë grupit.”
“Mendoj se duhet të kishim shënuar më shumë gola dhe personalisht kam pasur një rast shumë të mirë për shënim, – ka theksuar mesfushori i djathtë beratas. – Por kam nxituar paksa.”
“Kjo fitore do të na shërbejë për ndeshjen e radhës përballë Dinamos, pasi do të shkojmë me moral të lartë”, – ka përfunduar Avdo, kurse Tomori synon tashmë të luftojë fort për të qenë një kandidat potencial nga grupi i Jugut për t’u ngjitur në Superiore.