AlbanianSport.com 18.04.2015 15:15
ASNN – Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah, ndihet krenar që e pranoi Komitetin Olimpik të Kosovës, duke ua hapur dyert sportistëve kosovarë për të marrë pjesë në Olimpiadë. Numri një i sportit botëror dukej i gëzuar për vizitën që po bën në këtë vend, një vizitë kjo padyshim historike për sportin kosovar. Bahu ua hapi edhe zyrtarisht dyert sportistëve kosovarë, duke i konsideruar ata pjesë të familjes olimpike, duke shpresuar që sa më shumë sportistë kosovarë të marrin pjesë në Olimpiadën e Brazilit, që do të mbahet vitin tjetër.
Ai është pritur me nderime të larta shtetërore dhe gjatë ditës i ka bërë disa vizita. “Jam këtu me kënaqësinë më të madhe dhe dua ta mirëpres Kosovën dhe atletët e saj në familjen olimpike – ka thënë Bahu të premten. – Pas njohjes së Komitetit Olimpik të Kosovës, rruga është e lirë për atletët e Kosovës që të marrin pjesë në Lojërat Olimpike me flamurin e tyre. Kështu që, duam të mirëpresim ekipin olimpik të Kosovës vitin tjetër në Rio. Për mua ky është një moment i veçantë, pasi Komiteti Olimpik i Kosovës është i pari që është njohur nën mandatin tim si kryetar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.”
“E kam ndjekur nga afër dosjen e Kosovës për një kohë të gjatë, – vijoi ai. – Jam njeri i lumtur që më në fund edhe ky cikël u mbyll dhe që Komiteti Olimpik i Kosovës është anëtar me të drejta të plota në familjen olimpike.” Ndër të tjera, gjatë ditës së premte, kreu i IOC-së pati disa takime me krerët e shtetit të Kosovës. Fillimisht, ai i shoqëruar nga një delegacion i lartë i IOC-së, u prit nga presidentja e shtetit, Atifete Jahjaga. Kjo e fundit e çmoi lart angazhimin e Bah në ndërkombëtarizimin e sportit kosovar dhe i dha atij “Medaljen Presidenciale për Merita”.
Ndërkohë, Tomas Bahu e pati një takim edhe me kryeministrin e vendit, Isa Mustafa, i cili po ashtu e falënderoi për atë që ka bërë ai për sportin e Kosovës. Gjithashtu, Bahu u takua me ministrin e Sportit, Kujtim Shala, si dhe me Bordin e Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye, Besim Hasani, nga i cili u shoqërua gjatë tërë kohës. Gjatë ditës së sotme, Bahu ka patur takime të tjera dhe për nder të tij.