AlbanianSport.com 20/10/2018 12:55
ASNN – Buenos Airesi është një kandidat potencial për të pritur Lojërat Olimpike të 2032-shit. Kështu është shprehur Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Tomas Bah, duke marrë parasysh suksesin gjatë organizimit të Olimpiadës Rinore që përfundoi të enjten në kryeqytetin argjentinas.
“Pasi pamë suksesin e tanishëm në olimpiadën rinore, nuk kam asnjë dyshim në lidhje me aftësinë e Argjentinës dhe Buenos Airesit për të organizuar Olimpiadën tjetër po me këtë përsosmëri”, – tha Bahu në një konferencë shtypi në ditën e mbylljes së Lojrave Olimpike Rinore.
Por presidenti i IOC-së shtoi se kjo do të varej nëse Argjentina do të vendoste të ishte kandidate apo jo. Përsa i përket Olimpiadës “Tokio 2020”, kreu i IOC-së tha se Buenos Aires do të sjellë përvojën e saj, sidomos në lidhje me disiplina të reja olimpike. “Disa risi do të jenë në Tokio si karateja, sporti në ngjitje, skejt-bording dhe sërfi.”
“Gjithashtu në drejtim të barazisë gjinore Tokio do të vendosë një rekord olimpik, sepse ne do të kemi gati 49% femra” – tha Bah. Deri tani qyteti Ushuaia, në pjesën jugore të Argjentinës, ka shprehur interes në mbajtjen e Lojërave Olimpike Dimërore, por duket se ajo që i tremb kandidatët, është kostoja stratosferike.