AlbanianSport.com 07/08/2021 21:10
ASNN – Mposht Francën 87-82 në finalen e meshkujve dhe siguron kurorën olimpike në “Tokio 2020”. E udhëhequr nga Kejvin Durant, përfaqësuesja amerikane e basketbollit për meshkuj ka lënë pas atë dështim me shifrat 76-83 përballë francezëve në grupe, duke u rikthyer ta fitojë finalen e madhe me shifrat 87-82. Ajo ka siguruar kështu medaljen e 5-të të artë në 6 Lojërat Olimpike të këtij mijëvjeçari të ri dhe të 16-ën që ku basketbolli i meshkujve u bë pjesë e kalendarit të Lojërave Olimpike më 1936-ën.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë hakmarrë për atë humbje të papritur, të pësuar në fazën e grupeve përballë Francës, duke triumfuar të shtunën në finalen e turneut të basketbollit të “Tokio 2020” dhe duke u kurorëzuar kështu “kampionë olimpikë”. E udhëhequr nga Kejvin Durant, përfaqësuesja amerikane ka lënë pas atë dështim me shifrat 76-83 përballë francezëve në grupe, duke u rikthyer ta fitojë finalen e madhe me shifrat 87-82, duke siguruar medaljen e 5-të të artë në 6 Lojërat Olimpike të këtij mijëvjeçari të ri.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë fituar tanimë 16 medalje të arta që ku basketbolli i meshkujve u bë pjesë e kalendarit të Lojërave Olimpike më 1936-ën. Sa i përket finales së të shtunës, që është sjellë, sikundër e gjithë kjo Olimpiadë, drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, amerikanët i kanë bërë të qarta synimet e tyre që në 10-minutëshin e parë, duke e fituar atë 22-18. Francezët do të reagojnë në 10-minutëshin e dytë, në të cilin është luftuar pikë për pikë.
Por është sërish përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e fiton atë me një pikë të vetme, 22-21, duke bërë që të dyja skuadrat të shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave, duke kryesuar me shifrat 44-39. Edhe në 10-minutëshin e 3-të, amerikanët nuk lëshojnë, duke e fituar atë me shifrat 27-24 dhe duke e thelluar kështu kryesimin në 8 pikë, 71-63. Kjo ka bërë që në 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, amerikanët të administrojnë këtë epërsi.
Dhe, ndonëse janë francezët që e fitojnë këtë pjesë loje me 19-16, skuadra e drejtuar nga trajneri Greg Popoviç dhe e udhëhequr në parket nga veterani i NBA-së, Kevin Durant, e ka fituar gjithë takimin me shifrat 87-82. Vetë Durant realizoi plot 29 pikë, duke zotëruar edhe 6 topa në tabelë, duke dhënë 3 pasime për kosh dhe duke bërë edhe një bllok.