AlbanianSport.com 27/01/2021 20:55
ASNN – Presidenti i IOC-së thekson se spekulimet po i dëmtojnë sportistët. Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Tomas Bah, ka bërë thirrje për durim sa u përket Lojërave Olimpike dhe Paralimpike “Tokio 2020”, duke deklaruar se organizatorët nuk do ta organizonin këtë veprimtari nëse nuk do mendonin që ishte e sigurt për ta bërë një gjë të tillë. Duke iu referuar raporteve të kohëve të fundit që kanë spekuluar se “Tokio 2020” do të anuloheshin, Bahu përsëriti se IOC-ja dhe Komiteti Organizator mbeten “plotësisht të përqendruar dhe të përkushtuar për një organizim të sigurt dhe të suksesshëm të këtyre Lojërave.
Në vijim, kreu i organizmit që qeveris lëvizjen olimpike botërore paralajmëroi se spekulimet dhe zërat që aludojnë se Olimpiada nuk do të zhvillohet “po i dëmtonte sportistët”. “Nuk ka asnjëlloj plani paraprak për këtë, pasi beteja me virusin është një betejë e vështirë, por ne po luftojmë si dhe për sportistët olimpikë”, – ka deklaruar ai, duke vijuar: “As shkencëtarët më të njohur në këtë fushë nuk janë në gjendje të parashikojnë gjendjen shëndetësore të 206 Komiteteve Olimpike Kombëtare kur të jetë koha e zhvillimit të këtyre lojërave olimpike, që mbahen nga fundi i korrikut e deri në shtator të këtij viti.”
“Kjo çon pashmangshmërisht dhe fatkeqësisht tek shumë spekulime, por të gjitha këto spekulime po i dëmtojnë sportistët në përgatitjet e tyre, – theksoi Bahu. – Ne nuk po humbasim as kohë e as energji me zërat nëse Olimpiada do të zhvillohet apo jo, por ne po punojmë sesi ajo do të zhvillohet. Detyra jonë është të organizojmë Lojërat Olimpike dhe jo t’i anulojmë ato, ndaj nuk do t’u hedhim benzinë spekulimeve të kota.” Presidenti i IOC-së tha se ai i kuptonte ata që nuk e imagjinojnë sesi “Tokio 2020” mund të zhvillohet, teksa edhe në vetë vendin organizator, në Japoni, mbështetja e publikut po venitet.
Por gjermani këmbënguli se nuk ishte papërgjegjshmëri që ta organizoje këtë eveniment në mes të kësaj epidemie globale. “Nëse ne nuk do të mendonim, që Olimpiada nuk do të ishte e sigurt, ne nuk do të këmbëngulnim ta organizonim atë”, – ka përfunduar ai.