AlbanianSport.com 03/02/2020 20:25
ASNN – Guvernatorja e Tokios, Juriko Koike, premtoi se do të marrë “masa të rrepta” për të mbrojtur njerëzit nga koronavirusi vdekjeprurës në vazhdën e Lojërave Olimpike të kësaj vere. Në ceremoninë e inaugurimit të pallatit të sportit, “Ariake Arena”, i cili kushtoi 330 milion dollarë, ku do të luhen ndeshjet e volejbollit dhe basketbollit për paralimpikët, Koike tha: “Unë do të zbatoj masa edhe më të rrepta për të trajtuar sëmundjet infektive”.
“Jam duke diskutuar këtë fundjavë me zyrtarë të lartë për t’i ofruar sigurinë njerëzve në Tokio, duke u përqendruar posaçërisht në mënyrat për të parandaluar përhapjen e virusit dhe forcimin e sistemeve të testimit”, – shtoi Koike, e cila gjithashtu u bëri thirrje njerëzve të lanin duart, të mbajnë maska kirurgjikale në fytyrë për të ndihmuar në mbrojtjen e tyre nga sëmundjet. Japonia ka paralajmëruar qytetarët të mos udhëtojnë në Kinë.
Ajo ka vendosur masa ekstreme në kufi, ndërsa përpiqet të mos lejojë përhapjen e koronavirusit në vend. Deri tani asnjë vdekje nuk është raportuar në Japoni. Frika e virusit ka çuar në anulimin e ngjarjeve kualifikuese olimpike në Kinë, si boksi dhe badminton. Prerja e shiritit për “Ariake Arena”, i le vend tani qendrës ujore të Lojërave Olimpike si e fundit nga 8 objektet sportive në ndërtim e sipër, të cilat do të përfundojnë gjatë këtij muaji.