AlbanianSport.com 03/08/2021 17:25
ASNN – Ish-kampionia e dyfishtë olimpike kritikon vendimin në garën e kërcimit së larti. Dy herë kampionia olimpike në kërcim me shkop, Jelena Isinbajeva, e ka kritikuar vendimin për t’u dhënë medaljen e artë të dy sportistëve të kërcimit së larti, Mutaz Barshimit dhe Xhianmarko Tamberit, pasi të arritën deri në 2 metra e 37 centimetra në finalen e kësaj disipline në Lojërat Olimpike të Tokios. Të dy sportistët e kishin kaluar atë lartësi pa prova të djegura dhe nuk pranuan të shkojnë në një duel final.
Çka bëri që si kampioni në fuqi i botës nga Katari, Barshim, ashtu edhe italiani Tamberi të marrin të dy një medalje të artë. Medalja e bronztë u fitua nga bjellorusi Maksim Nedasekau, i cili gjithashtu kaloi 2 m e 37 cm, por vuajti një dështim në provat e lartësisë 2 m e 35 cm. Isinbajeva, një anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, IOC, ka mbetur e çuditur nga vendimi i gjyqtarëve të garës për t’i ofruar Barshimit dhe Tamberit mundësinë e zgjedhjes për të pranuar një barazim, apo për të vazhduar garën.
“Kur unë garoja, funksiononte kështu: nëse ishte e njëjta lartësi, steka vendosej një hap më poshtë”, – deklaroi Isinbajeva për agjencinë zyrtare ruse të lajmeve, “TASS”. “Ata duhet të provonin 2 m e 35 cm dhe kushdo që e kalonte, fitonte, – ka vijuar ajo sqarimin e saj. Nëse askush nuk e kalonte, steka zbriste një shkallë më poshtë. Por, dy medalje olimpike… Nuk e di sesi mund të lejohet kështu. Po, atletët vendosin vetë nëse do të vazhdojnë të kërcejnë, ashtu sikundër është e mundur të pajtohen, por nuk e di se sa e mundur është në bazë të rregullave, pasi në këto disiplina beteja duhet të vazhdojë deri në fund.”
Isinbajeva fitoi medalje të artë në “Athinë 2004” dhe “Pekin 2008”, si dhe medaljen e bronztë në “Londër 2012”, ndërsa fitoi medalje të artë edhe në Kampionatin Botëror të Atletikës në 2005-ën, 2007-ën and 2013-ën.